Lidhje

Ç'ndodh këtë javë në Uashington?


Udhëtimi i Presidentit Barack Obama për në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në funeralin e ish presidentit Nelson Mandela përkon me javën e fundit në punë për këtë vit të Kongresit amerikan. Siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, zoti Obama do të jetë jashtë vendit ndërsa ligjvënësit përpiqen të përmbushin afatin e fundit për miratimin e buxhetit federal dhe debatojnë përforcimin e mundshëm të sanksioneve ekonomike kundër Iranit.

Presidenti dhe zonja Obama do të jenë në krye të një delegacioni në Johanesburg, ku do të shkojnë edhe ish presidentët Bush, Clinton dhe Carter.

“Unë jam mes miliona njerzve, që u frymëzuan nga jeta e Nelson Mandelës. Aktiviteti im i parë politik ishte një protestë kundër aparteidit”.

Shtëpisë së Bardhë iu desh të ndryshojë programin e presidentit që ai të udhëtojë për funeralin e zotit Mandela gjatë javës së fundit të vitit, kur të dyja dhomat e Kongresit pritet të jenë në punë. Ligjvënësit përballen me afatin e së premtes për të financuar qeverinë, përndryshe rrezikojnë një mbyllje të pjesëshme të qeverisë federale në fillim të vitit të ri.

Zoti Obama ka kërkuar një marrëveshje ndërpartiake, që përfshin zgjatjen e përfitimeve federale për të papunët:

“Nëse Kongresi refuzon të veprojë, ai nuk do të dëmtojë vetëm familjet tashmë në vështirësi, por edhe ekonominë amerikane. Sigurimet e papunësisë janë një prej mënyrave më të efektshme për t’i dhënë shtytje ekonomisë sonë”.

Presidenti duhet të përqëndrohet më pak në zgjidhjet që ofron qeveria, dhe më shumë në mënyrat për t’i dhënë energji sektorit privat, tha John Boehner, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, kontrolluar nga republikanët.

“Nuk ka asnjë dyshim se gjatë administratës së Presidentit Obama vendi ynë ka rënë në atë që unë e quaj një nivel i ri normal: zhvillim i ngadalshëm ekonomik, papunësi e lartë dhe rroga që nuk rriten. Presidenti është më shumë i përqëndruar në programet qeveritare se sa në politika pro zhvillimit, që do të krijonin më shumë vende pune dhe rroga më të mira për amerikanët”.

Kjo javë mund të nxjerrë gjithashtu në pah nëse ligjvënësit do të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Iranit, megjithë paralajmërimet e administratës se masa të tilla mund të dëmtojnë negociatat e komunitetit ndërkombëtar lidhur me programin bërthamor të atij vendi.
XS
SM
MD
LG