Lidhje

Interesim i madh për librin e ri të Harper Lee


Në dyert e librarive në shumë vende të botës kishte sot radhë të gjata njerëzish, të cilit kishin shkuar për të blerë romanin e shkrimtares Harper Lee “Go Set a Watchman”, shqip “Të vendosësh një roje”. Ky është libri i dytë, i shumëpritur i shkrimtares 89-vjeçare, e cila shkroi në vitin 1960 romanin klasik të përkthyer në shqip “Të vrasësh zogun përqeshës”. Për këtë libër, që trajton temën e racizmit, shkrimtarja mori çmimin Pulitzer në vitin 1960.

Për gjysëm shekulli ajo nuk botoi libër tjetër, por për kontributin e saj në letërsi me librin e saj të parë, shkrimtarja Nelle Harper Lee u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Në shkurt të këtij viti, autorja 89 vjeçare, pothuajse e verbër dhe e shurdhër pas një ishemije të vitit 2007, dhe pasi kishte deklaruar se nuk do të botonte asnjë libër tjetër, tha se po botonte një libër tjetër, të cilin e kishte shkruar para romanit të saj të parë.

Historia e librit “Të vrasësh zogun përqeshës” tregohet nga Scout, vajza 6-vjeçare e një juristi të bardhë, Atticus Finch, i cili mbron një burrë zezak, të akuzuar pa qenë fajtor, për një përdhunim. Në romanin “Të vendosësh një roje”, personazhi Scout është vajzë e rritur e cila kthehet tek shtëpia e prindërve nga Nju Jorku 20 vjet më pas, për të vizituar të atin, i cili përshkruhet si njeri fanatik.

Harper Lee i bazon personazhet e saj tek studimi i karaktereve të familjarëve dhe fqinjëve të saj, përfshirë shkrimtarin e famshëm amerikan Truman Capote, i cili ishte gjithashtu nga qyteti i saj i lindjes.

Lee, tani 89 vjeçe jeton në një shtëpi për të moshuarit dhe është përpjekur të ketë një jetë, larg syrit të publikut, pas famës që mori me librin e saj të parë, tek i cili është bazuar filmi “To Kill a Mockingbird”, fitues i Oscarit për vitin 1962.

XS
SM
MD
LG