Lidhje

Shpenzime prej miliona dollarësh për konservimin e ujit


Kompanitë e pijeve freskuese varen shumë tek uji dhe gjithnjë e më shumë të vetëdijshme rreth vlerës së këtij burimi të çmuar, kompanitë e mëdha po investojnë tani në projekte për konservimin e ujit, duke mbrojtur në të njëjtën kohë edhe mjedisin.

Pijet freskuese lëvizin në linjat e prodhimit dhe të gjitha ato kanë një gjë të përbashkët, për prodhimin e tyre nevojitet shumë ujë. Por ky burim i çmuar shpesh nuk vlerësohet sa duhet.

Tim Grotto, nënpresident i kompanisë Dr. Pepper thekson rëndësinë e ujit për kompaninë e tij.

"Si kompani pijesh, uji është përbërësi kryesor. Gjatë 4 vjetëve të fundit ne kemi punuar për konservimin e ujit në operacionet tona dhe kemi bërë shumë përparim. Ne vazhdojmë të punojnë drejt përmirësimit të përdorimit të ujit. Për ne u bë e qartë se ky ishte hapi i ardhshëm dhe i qartë për t’u ndërmarrë, të shikonim jashtë operacioneve tona, ujin që përdoret prë furnizimin e komuniteteve si dhe qendrat e prodhimit, ku ne jetojmë dhe punojmë", thotë ai.

Kjo është arsyeja që kompania Dr Pepper Snapple po shqyrton mënyra për mbrojtjen e mjedisit.

Rreth 80 kilometra larg Hjustonit, një prej qyteteve më të mëdha të vendit, ndodhet një sipërfaqe prej mbi 150 hektarësh, zonë piktoreske e blerë nga kompania Dr Pepper Snapple.

Kjo korporatë po investon qindra mijëra dollarë për t’u siguruar që kjo zonë bregdetare të mbetet e paprekur, me shpresë se do të ndihmojë në ruajtjen dhe zgjerimin e një ekosistemi, i cili dikur mbulonte një sipërfaqe prej gati 3 milion hektarësh nga Luisiana jugperëndimore deri në Teksas.

Ky projekt është pjesë e investimeve prej 1.1 milion dollarësh të kësaj kompanie në firmën Konservimi i Natyrës, e cila synon t’i sjellë fitime një zone të gjerë të Teksasit.
Fondet e shpenzuara do të përdoren për projekte restauruese si për shembull rimbjellja e zonës me bar për të ruajtur cilësinë e ujit, duke ndihmuar kështu jo vetëm komunitetin, por duke i garantuar kompanisë Dr. Pepper leje që të përdorë elementin e tij më të rëndësishëm, ujin.

Laura Huffman, drejtoreshë e kompanisë Konservimi i Natyrës për shtetin e Teksasit, natyrisht që mirëpret këtë investim të madh. Ajo thotë se është në interesin e kompanive të pijeve freskuese për të siguruar burime të pastra dhe të mjaftueshme të ujit.

"Ne kemi mësuar se industria ushqimore dhe e pijeve janë konservuesit më të hershëm të ujit të pijshëm dhe arsyeja për këtë është se ato varen nga ky burim për të mbështetur biznesin e tyre. Në fakt, kur këto kompani analizojnë biznese model, ata analizojnë sasinë e ujit të disponueshëm si dhe lëvizjen e popullsisë në të ardhmen", thotë zonja Huffman.

Ky në fakt është një element i vetëm në prirjen globale më të gjerë, duke hedhur dritë mbi realitetin se uji, ose mungesa e tij, mund të sjellë falimentimin e industrisë së pijeve të ndryshme.

Lojtarët më të mëdhenj, nga Coca-Cola, te Pepsi dhe Miller and MolsonCoors, e shikojnë ujin si një burim të rrezikuar në planet e tyre afat-gjata dhe po i nxitin këto kompani të tregohen aktive lidhur me konservimin e ujit, i cili përbën 80 për qind ose më shumë të prodhimeve të tyre dhe përdoret në çdo pjesë të procesit.
Nuk ka statistika lidhur me investimet e kompanive në projekte të tilla gjatë 5 vjetëve të fundit, por ekspertët mendojnë se kjo shifër mund të jetë mbi 500 milion dollarë.
Pas proceseve më të thjeshta dhe instalimin e teknologjive të reja më efikase në fabrika dhe uzina, duke konservuar miliona litra ujë në vit, këto korporata të mëdha filluan të hyjnë në partneritet me grupe mjedisi dhe shpenzuan qindra miliona dollarë për të sjellë ujë në vendet në zhvillim, ku ata shpresojnë të hapin biznese në të ardhmen.

Shumica e kompanive hyjnë në partneritet me grupe mjedisi, që kanë njohuri shkencore për të garantuar sukses. Për shembull, kompania Coca-Cola është e angazhuar në më shumë se 380 projekte të konservimit të ujit në 94 vende. Fillimisht Coca-Cola bashkëpunoi me Fondin Botëror për Mbrojtjen e Florës dhe Faunës për të mbrojtur lumenjt dhe përenjtë në pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, afër selisë së kompanisë në Atlanta të shtetit Xhorxhia. Që prej atëhere, kompania e pijes më të njohur në botë ka zgjeruar objektivat e saj.

"Ne kemi si objektiv që deri në vitin 2020 t’i kthejmë komunitetit po aq ujë sa edhe përdorim për operacionet tona dhe tani për tani e kemi përmbushur këtë objektiv në masën prej 35 për qind. Ne jemi angazhuar në komunitete në Afrikë që të ndihmojnë për të siguruar ujë të pijshëm për 2 milion afrikanë dhe kemi bërë përparim të madh në këtë drejtim".

Partneritetet janë ndihmë për të gjithë: ato i bëjnë kompanitë e prodhimit të pijeve të duken mirë, duke u mundësuar atyre t’u tregojnë komuniteteve, ku punojnë, se ato po ndihmojnë në konservimin e burimit më të vlefshëm në tokë; ato ndihmojnë grupet e mjedisit që gjithnjë kërkojnë fonde; ato ndihmojnë qeveritë, që nuk kanë fonde, të ndërmarrin projekte, që nuk mund t’i përballojnë si dhe sigurojnë të ardhmen e industrisë së pijeve.

XS
SM
MD
LG