Lidhje

Emigracioni në qendër të debatit


Kongresi amerikan mblidhet këtë javë ndërsa ka shenja që tregojnë përparim në një çështje të mprehtë: reformimi i sistemit aq të kritikuar të imigracionit. Le t'i hedhim një vështrim zhvillimeve që priten këtë javë në Uashington.

Presidenti Barack Obama thotë se imigrantët kanë kontribuar gjithmonë në fuqinë ekonomike të Amerikës.

“Premtimi që shohim tek ata që vijnë nga e gjithë bota është forca jonë më e madhe. Ata e kanë mbajtur gjithmonë të re fuqinë tonë punëtore. I kanë mbajtur bizneset tona gjithnonë në zhvillim.”

Tani, bizneset amerikane dhe drejtuesit e sindikatave po njoftojnë një marrëveshje për një program të përkohshëm vizash për punëtorët me kualifikim të ulët, duke hequr një pengesë të madhe në reformimin e ligjeve federale të imigracionit.

“Ka ardhur koha për një reformë bashkëkohore dhe të arsyeshme të imigracionit.”

Ligjvënësit në të dyja dhomat e Kongresit po hartojnë projektligje që pritet të japin eventualisht rrugën drejt qytetarisë amerikane për gati 11 milion imigrantë të paligjshëm në vend. Kjo do t’i bashkohet përpjekjeve më të fuqishme për të siguruar kufijtë dhe për të ndalur ardhjen e imigrantëve të paligjshëm.

Dy kampionët e reformës së imigracionit – senatori republikan John McCain dhe senatori demokrat Charles Schumer – vizituan kohët e fundit kufirin amerikan me Meksikën.

“Me përdorimin e duhur të teknologjisë, ne do të jetë në gjendje të themi se kemi një shkallë të sigurisë së kufirit e cila do të mundësojë që imigrantët e paligjshëm brenda vendit të shkojnë drejt marrjes së shtetësisë, tha sen. McCain.

Por senatori tjetër republikan Marco Rubio po paralajmëron se njoftimet për konsensus dypartiak janë të parakohshme. Në një deklaratë, Rubio tha se vendimi për një legjislacion për reformën e imigracionit “nuk duhet të bëhet me nxitim”.

Presidenti Obama thotë se është optimist.

“E ndjej se ligjvënësit janë afruar dhe pres të shoh një projektligj në dhomën e senatit në prill”.

Shtëpia e Bardhë po bën gjithashtu presion për reformë në kontrollin e armëve. Këtë javë presidenti shkon në Denver të Kolorados ku do të diskutojë propozimet për të ulur dhunën nga armët në Shtetet e Bashkuara. Zoti Obama thotë se vendi nuk duhet të harrojë masakrën e vitit të kaluar në shkollën fillore në Kënektikat.

“Ajo ndodhi më pak se 100 ditë më parë dhe tronditi të gjithë vendin. I gjithë vendi premtoi të bëjmë diçka rreth kësaj dhe kësaj rradhe do të jetë ndryshe. Turp në se do ta harrojmë atë tragjedi."

Marrëdhëniet e jashtme do të vazhdojnë të jenë gjithashtu në vëmendjen e Uashingtonit, përfshi shkallëzimin e tensioneve me Korenë e Veriut.

“Të gjitha vendet në atë rajon janë të angazhuara për një rrugë drejt paqes dhe Korea e Veriut duket se po kthehet në drejtim tjetër”, thotë Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel.

Hagel shton se Shtetet e bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të jenë të përgatitur për “çdo të papritur” përsa i përket Koresë së Veriut.

XS
SM
MD
LG