Lidhje

Wen Jiabao, për herë të fundit si kryeminstër në takimin BE-Kinë


Mosmarrëveshjet mbeten, por zyrtarët e lartë vlerësuan faktin që mund të diskutojnë hapur për to

Wen Jiabao mori pjesë për herë të fundit si kryeministër në takimin e nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe Kinës sot në Bruksel. Zyrtarët e lartë vlerësuan faktin që mund të diskutojnë hapur, por Bashkimi Evropian dhe Kina janë përplasur shpesh për një numër çështjesh, përfshirë politikat tregëtare dhe ato për klimën. Zyrtarët e BE-së anuluan një konferencë shtypi me kryeministrin Wen Jiabao pasi Bashkimi Evropian dhe Kina nuk arritën të binin dakord për formatin.

Si Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, edhe Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian Jose Manuel Barroso theksuan se partneriteti BE-Kinë është konsoliduar në atë masë saqë mund t’i diskutojë hapur mosmarrëveshjet.

“Kemi arritur një nivel mirëkuptimi dhe respekti reciprok që ka krijuar një themel të qëndrueshëm për ta forcuar edhe më shumë partneritetin dhe për të trajtuar mosmarrëveshjet mes BE-së dhe Kinës”, tha zoti Van Rompuy.

Por Kina, një nga vendet që çliron sasinë më të madhe të dioksidit të karbonit, ka arritur një marrëveshje me BE-në për të pakësuar gazin që shkakton efektin serrë përmes projekteve përfshirë zhvillimin e skemave të tregëtisë së gazeve të prodhuara nga Kina, tha sot Komisioni Evropian.

Udhëheqësit evropianë dhe kinezë do të përpiqeshin gjithashtu të kapërcenin mosmarrëveshjet për tregëtinë dhe të gjenin një emërues të përbashkët për zgjidhjen e krizës së Evropës.

"Për shkak të dallimeve tona historike, kulturore dhe të sistemeve sociale, kemi disa mosmarrëveshje përsa i takon pikëmamjeve dhe qëndrimeve tona për disa çështje. Megjithatë të dyja palët mund të veprojnë në përputhje me parimet e respektit reciprok, duke trajtuar njëri tjetrin si të barabartë, duke vazhduar dialogun, duke kërkuar pika të përbashkëta, duke ruajtur interesat tona të përbashkëta”.

Zoti Wen shprehu keqardhje për mungesën e përparimit për heqjen e embargove të armëve ndaj Kinës dhe për njohjen e statusit ekonomik të tregut kinez.

Zoti Wen pritet të largohet nga detyra e kryeministrit në muajt e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG