Lidhje

Clark: Duhet filluar nga krijimi i koalicionit


Ish komandanti suprem i NATO,s Wesley Clark, i tha televizionit al-Jazeera se NATO-ja dhe Lidhja Arabe duhet të bashkëpunojnë për krijimin e një koalicioni, i cili të ndërmerrte veprime kundër Presidentit sirian Bashar al-Assad. Gjenerali Clark ishte në krye të NATO-s në vitin 1999, kur aleanca e Atlantikut Verior ndërmori një operacion ajror 72-ditësh kundër ish-presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, që çoi në largimin e forcave serbe nga Kosova.

"Mendoj se më e rëndësishmja është që çdo gjë që ne bëjmë ushtarakisht të ketë një qëllim politik dhe të çojë drejt një zgjidhjeje të situatës. Pra, nuk ka kuptim të shkrepim një armë ose të hedhim një bombë sa për të hedhur një bombë. Mendoj se duhet filluar nga ndërtimi i një koalicioni rreth një organizate rajonale. Mendoj se NATO-ja dhe Lidhja Arabe duhet të bashkohen me njëra-tjetrën. Mendoj se duhen disa rezoluta të forta. Nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do t'i ketë duart të lidhura për shkak të bllokimit nga Rusia dhe Kina, atëherë këto organizata rajonale së bashku duhet të veprojnë për të rivendosur qëndrueshmërinë në rajon dhe të parandalojnë shkallëzimin e konfliktit," tha gjenerali Clark.

Nën drejtimin e gjeneralit Clark, NATO-ja i filloi bombardimet në Kosovë më 24 mars 1999. Fushata e Aleancës përfundoi më 10 qershor, kur Sllobodan Millosheviçi pranoi kushtet e komunitetit ndërkombëtar dhe forcat jugosllave filluan tërheqjen nga Kosova.

"Ajo që ne bëmë në Kosovë ishte e kundërta e operacioneve që fillojnë me goditje maksimale. Ne nuk filluam me forcë maksimale që natën e parë, por e nisëm me minimumin e forcës dhe pastaj e shtuam atë gradualisht. Ne ia bëmë të qartë Sllobodan Millosheviçit se shkallëzimi do të vazhdonte deri sa ai të binte dakord me paketën diplomatike, që përfshinte tërheqjen e trupave nga Kosova dhe dhënien fund të spastrimit etnik atje. Pra, duhet lidhur diplomacia me forcën. Jo domosdo duhet filluar me një goditje masive, por duhet të kesh mbështetjen e diplomacisë dhe, kur jep goditjen e parë, kundërshtari duhet ta dijë se shkallëzimi që vjen më pas është i pashmangshëm dhe se presioni nuk do të ndalet," tha gjenerali Clark.

Uashingtoni po përballet me thirrje në rritje për t'ju kundërpërgjigjur me veprime sulmit me gaz helmues të Presidentit Assad në Siri. Presidenti Obama ka deklaruar më parë se çdo përdorim i armëve kimike në Siri do të ishte një vijë e kuqe që do të kërkonte një përgjigje të vendosur.

Gjenerali Clark tha se ndoshta tani do të fillojmë të shikojmë një qëndrim shumë më të ashpër amerikan në rajon si dhe një farë angazhimi. Ky angazhim, tha gjenerali, mund të jetë me rëndësi nga ana ushtarake, por do të jetë me siguri i rëndësishëm nga pikëpamja diplomatike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG