Lidhje

Përfundon konferenca “Ballkani Perëndimor” në Bruksel


Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimorë kanë arritur një marrëveshje për investimet në rrjetin e transporteve në rajon.

Komisionari i Bashkimit Evropian për politika të fqinjësisë dhe zgjerimit, Johanes Hahn, tha sot në Bruksel se kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimorë janë marrë vesh për bërthamën e rrjetit të transportit në rajon. Ata janë pajtuar që deri në takimin e radhës të saktësohen projektet për lidhjet rrugore dhe energjetike.

Ai i bëri këto komente në përfundim të konferencës së radhës “Ballkani perëndimorë” që zhvilloi punimet në Bruksel, ku morën pjesë kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Komisionari Hahn tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndajë 130 milion euro nga paratë e para anëtarësimit deri në fund të këtij viti, një shifër që do të jetë e shumëfishtë gjatë viteve në vazhdim.

Ndërsa komisionarja evropiane për transportin,Violeta Bulc, tha se deri në vitin 2030, rrjeti i transportit në Ballkanin perëndimorë do të jetë tërësisht e integruar në rrjetin e transportit të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka zotuar një miliardë euro për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së rajonit, vendet e të cilit mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për ndërtimin e autostradës që lidhë Prishtinën më qytetin e Nishit në jug të Serbisë dhe shpresojnë që ndërtimi i saj të financohet nga Bashkimi Evropian.

Gjatë punimeve të konferencës janë zhvilluar edhe takime dypalëshe. Kryeministri shqiptar Edi Rama veç tjerësh, u takua me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç më të cilin siç thuhet është biseduar për projekte konkrete siç është autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko - Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug.

Kryeministri Rama tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tejet të rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik e social të Ballkanit dhe Evropës në tërësi. “Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara duke bërë së bashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas luftës së dytë botërore për Evropën. Është e rëndësishme të kuptojnë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Evropian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin”, citohet të ketë thënë kryeministri Rama.

Kryeministri serb konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri në fund të muajit maj, ku do të marrë pjesë në konferencën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që do të zhvillohet në Tiranë.

Takim i së martës është vazhdim i konferencës së Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin. Konferenca ishte vlerësuar si një përpjekje për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të rajonit, edhe nëpërmjet zhvillimit më të shpejtë ekonomik të tij.

Konferenca e sotme pasohet nga raundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se temë kryesore e takimit të së martës do të jetë çështja e Telekomunikimeve.

Takimi i fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë është mbajtur më 9 shkurt kur ishte arritur marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i mundësuan Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet gjatë këtij viti, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve është kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedime për hir të integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG