Lidhje

Westerwelle: Gjermania mbështet perspektivën e Ballkanit perëndimor në BE


Ministri i Jashtëm gjerman gjatë një vizite në Shkup tha se Gjermania mbështet edhe rrugën e integrimeve të Maqedonisë, por ai tha se në këtë rrugë duhen bërë edhe mjaft hapa

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle tha në Shkup se Gjermania mbështet perspektivën e vendeve të Ballkanit perëndimor si dhe rrugën e integrimeve të Maqedonisë, por ai tha se në këtë rrugë duhen bërë edhe mjaft hapa.

“Rregullat janë të njejta për të gjithë dhe të gjitha vendet janë njohor me këto rregulla. Nuk do të ketë kurrfarë lëshimesh por nuk do të krijohen as pengesa. Gjemania do ta mbajë fjalën”, tha ministri Westerwelle.

Ai nuk fshehu shqetësimin lidhur me krizën e brendëshme politike në Maqedoni dhe bëri thirrje që të respektohen rregullat e lojës demokratike, siç tha, dhe që të bëhet një punë serioze parlamentare. Ky apel u drejtohet të gjithëve në mënyrë që të vendosen marrëdhënie të mira dhe respekti i ndërsjellë midis maqedonasve dhe shqiptarëve mbi baza të Marrëveshjes së Ohrit.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme u bëri thirrje të gjithëve që të shikojnë interesat kombëtare të vendit, që të mendojnë për fatin dhe të ardhmen e këtij vendi dhe të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe fleksibilitet që t’i kthehen bashkëpunimit.

Ai tha se projekti evropian për mirëqenien bazohet mbi vlerat e përbashkëta dhe se Bashkimi Evropian përbën më tepër se një bashkësi ekonomike dhe politike; BE është edhe një bashkësi vlerash, nënvizoi ai.

Zoti Westerwelle la të kuptohej se demokracia, sundimi i ligjeve, pavarësia e gjyqësorit, kapërcimi i konflikteve në frymën e fqinjësisë së mirë dhe para së gjithash bashkëjetesa paqësore ndërmjet grupeve të ndryshme të popullatës , paraqesin vlera evropiane për ç[ka angazhohet Gjermania.

Duke folur për ngërçin politik në Maqedoni, ai tha se Republika Federale e Gjermanisë nuk është palë në konfliktet e brendëshme të këtij vendi, por një partner dhe vend mik i Maqedonisë. Ai ritheksoi kërkesën që të gjithë faktorët politikë në Maqedoni të tregojnë një masë të mjaftueshme gatishmërie për kompromis në të mirë të vendit dhe qytetarëve të tij.

Ministri Guido Westerwelle i bëri komentet pas takimeve me zyrtarë të lartë qeveritarë dhe drejtuesi shettërorë të Maqedonisë. Në Shkup, vizita e ministrit gjerman shikohet si një përkushtim i plotë i Gjermanisë për proceset që po zhvillohen në rajon, për rëndësinë e integrimeve euroatlantike.
XS
SM
MD
LG