Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Vetëm populli egjiptian mund të përcaktojë të ardhmen e vet politike

  • Dan Robinson

Shtëpia e Bardhë: Vetëm populli egjiptian mund të përcaktojë të ardhmen e vet politike

Shtëpia e Bardhë: Vetëm populli egjiptian mund të përcaktojë të ardhmen e vet politike

Ndërsa Presidenti Barak Obama dhe zyrtarët e lartë amerikanë po vëzhgojnë gjendjen në Egjipt, zëdhënësi i presidentit ka nënvizuar se çfarë thotë zoti Obama se duhet të ndodhë atje. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, presidenti i ftoi dje ekspertët kryesorë të Lindjes së Mesme për t’u këshillaur për hapat e mëtejshëm.

Sekretarit për shtyp pranë Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, iu bë disa herë trysni që të shpjegonte se çfarë shpreson të shohë Uashingtoni nga veprimet e qeverisë egjiptiane dhe nëse zoti Obama beson se presidenti egjiptian Hosni Mubarak është njeriu që do të ndërmarrë reformat që egjiptianët do t’i pranonin si legjitime.

Zoti Gibs iu referua fjalëve të Sekretares së Shtetit Hillari Klinton, e cila të dielën bëri thirrje për një “kalim të rregullt”. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama u tha më vonë udhëheqësve botërore në biseda telefonike se Egjipti duhet të kalojë në një qeveri që është e përgjegjshme ndaj aspiratave të popullit.

Zëdhënësi i presidentit tha se vetëm egjiptianët mund të përcaktojnë të ardhmen.

“Nuk i takon vendit tonë ose qeverisë sonë të vendosë. Nuk mendoj se njerëzit që kërkojnë liri më të madhe duan që dikush tjetër të zgjedhë se çfarë ndryshime duhet bërë.”

Zoti Gibs nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes nëse Presidenti Obama do të bënte posaçërisht thirrje që Presidenti Mubarak të largohej nga pushteti. Duhet të zhvillohen bisedime kuptim-plota, shtoi ai, me angazhimin më të gjerë të popullit egjiptian, përfshirë grupet e opozitës.

I pyetur rreth një raporti të agjencisë “Associated Press” që citon zyrtarë anonimë të administratës të kenë thënë se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë trysni zotit Mubarak të ndërmarrë reforma kyçe, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme presidenciale në shtator, zoti Gibs tha se mesazhet private për Presidentin Mubarak janë të njëjtat me ato që i janë dërguar publikisht.

Sa i përket planit për të mbledhur sot në Kajro 1 milion protestues që kërkojnë largimin e Presidentit Mubarak, zoti Gibs iu referua kontakteve që po zhvillohen mes Departamentit të Shtetit dhe ministrisë së jashtme të Egjiptit si dhe mes zyrtarëve ushtarakë amerikanë dhe egjiptianë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë që Egjipti e ka të qartë se duhet t’i shmanget dhunës.

Përveç konsultimeve me ekipin e sigurisë kombëtare, Presidenti Obama është këshilluar edhe me ekspertë të Lindjes së Mesme dhe të tjerë, disa prej të cilëve vizituan dje Shtëpinë e Bardhë.

Zyra e Presidentit thotë se kriza në Egjipt nuk e ka ndërprerë përqendrimin e zotit Obama në çështjet vendore dhe ekonominë. Presidenti pritet të udhëtojë për në Pensilvani nesër, në kuadër të përpjekjeve për të nxitur investime për rritjen ekonomike.

XS
SM
MD
LG