Lidhje

Kritika ndaj përjashtimit të disa mediave nga një takim me zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë


Shtëpia e Bardhë u kritikua ashpër të premten pasi nuk lejoi një numër organizata lajmesh të merrnin pjesë në një sesion të përditshëm pyetje-përgjigje me zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer.

Gjithashtu të premten, presidenti Donald Trump përsëriti sulmet e tij ndaj shtypit gjatë fjalimit në Konferencën Konservatore për Veprim Politik, duke thënë se gazetarët nuk duhet të lejohen të përdorin burime anonime në njoftimet e tyre.

Disa organizata lajmesh, kritike ndaj presidentit Donald Trump, si CNN dhe New York Times, ishin mes mediave që nuk u lejuan të mbulonin konferencën me gazetarët.

Ndërkaq u lejuan disa organizata mediatike që shihen si më të favorshme ndaj zotit Trump, duke përfshirë Breitbart News, One Amerika News Network dhe Washington Times.

U lejuan gjithashtu disa media si ABC, CBS, NBC dhe Fox. Të tjerë, si Associated Press, refuzuan të merrnin pjesë, në solidaritet me ata që u përjashtuan.

Takimi me gazetarët, ku nuk u lejuan kamerat, u mbajt në zyrën e zotit Spicer dhe zëvendësoi konferencën e përditshme të shtypit që jepet në prani të kamerave dhe ku marrin pjesë të gjitha mediat e akredentuara.

Takime ku nuk lejohen kamerat nuk janë të pazakonta. Shtëpia e Bardhë shpesh fton media të caktuara për tema të veçanta. Por këto takime janë zakonisht të hapura për të gjitha rrjetet mediatike ku ata lejohen të bëjnë çdo lloj pyetjeje.

Vendimi i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë Spicer u kritikua ashpër nga disa nga mediat që u përjashtuan.

“Diçka e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë në historinë tonë të gjatë ku kemi mbuluar administrata të shumta të partive të ndryshme” tha në një deklaratë Dean Baquet, redaktori ekzekutiv i gazetës The New York Times.

Ndërsa Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë tha “Ne fuqimisht protestojmë përjashtimin e The New York Times dhe organizatave të tjera të lajmeve. Qasja e lirë e medias në një qeveri transparente është padyshim në interesin kombëtar”.

Ndërkohë, presidenti Trump, duke folur para një audience prej mijëra mbështetësish në Konferencën Konservatore për Veprim Politik, akuzoi përfaqësuesit e medias se kanë sajuar burime anonime për lajmet e tyre kritike në adresë të presidentit, sipas tij, për t’a bërë atë të duket keq.

“Jam kundër njerëzve që shpikin lajme dhe burime. Ata nuk duhet të lejohen të përdorin burime, përjashtuar rastet kur publikojnë emrat e tyre”, tha zoti Trump.

Zakonisht gazetarët përdorin burimet anonime në lajme ku subjekti është i një natyre konfidenciale, në mënyrë që të shmangen pasojat ndaj burimit.

Presidenti tha se askush nuk e do më shumë sesa ai amendamentin e parë të Kushtetutës amerikane, por ai shtoi se gazetarët fshihen pas mbrojtjes që garanton Kushtetuta për të publikuar gënjeshtra ndaj tij.

“Shumë prej këtyre grupeve mediatike, janë pjesë e korporatave të mëdha të medias që kanë agjendën e tyre, që nuk është e juaja”, tha zoti Trump. “Nuk përfaqëson popullin, nuk do t’a përfaqësojë ndonjëherë dhe ne do të bëjmë diçka për këtë”.

Presidenti Donald Trump ka sulmuar rregullisht mediat, sidomos nëpërmjet Twitterit, nganjëherë duke veçuar organizata dhe gazetarë të ndryshëm për kritikat e tij.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG