Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Publikimi i taksave të presidentit Trump, i paligjshëm


Shtëpia e Bardhë nxorri një deklaratë ku thuhej se Presidenti Donald Trump kishte pasur mbi 150 milionë dollarë të ardhura në vitin 2005, nga të cilat kishte paguar 38 milionë dollarë taksa, si edhe kritikoi ashpër një njoftim televiziv që bënte publike dokumentat për taksat që ai kishte paguar, duke e quajtur një veprim të tillë të paligjshëm.

Deklarata e së martës në mbrëmje, u lëshua para se televizioni MSNBC të transmetonte raportin. Drejtuesja e emisionit, Rachel Maddow nxorri dy faqe që ajo tha se ishin nga formulari për taskat e vitit 2005 të zotit Trump dhe tha se burimi i këtij informacioni ishte David Cay Johnston, një opinionist që ka fituar çmimin Pulitzer dhe analist taksash.

Zoti Johnston i tha gazetares Maddow se i kishte gjetur dy faqet e dokumentit në kutinë e tij të postës. Ai tha se nuk e dinte kush i kishte dërguar ose pse.

Zonja Maddow tha se kishte dërguar kopje të formularit në Shtëpinë e Bardhë, duke kërkuar koment për to. Administrata e nxorri deklaratën publike para se programi i saj të fillonte të martën në mbërmje.

Në deklaratëe saj, Shtëpia e Bardhë thoshte. “Është e qartë se është një përpjekje e dëshpëruar për të rritur audiencën, kur shkel ligjin për të nxjerrë një kronikë për dy faqe dokumentash taksash nga mbi një dekadë më parë”.

"Para se të zgjidhej president, zoti Trump ishte një nga biznesmenët më të suksesshëm në botë. Është krejtësisht e paligjshme të vjedhësh dhe botosh formularët e taskave. Media e pandershme mund të vazhdojë ta mbajë këtë çështje si pjesë të axhendës së vet, ndërsa presidenti do të përqendrohet tek programi i tij”, vazhdon deklarata.

Presidenti Trump ka këmbëngulur prej kohësh se publiku amerikan nuk është i interesuar për taksat e tij dhe ka thënë se informacioni që mund të dalë prej tyre nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Por formularët e plotë të taksave të zotit Trump, përmbajnë detaje të rëndësishme për aktivitete të tilla si dhurime për bamirësi, sa ka fituar ai çdo vit dhe se cili është burimi i të ardhurave të tij.

Çështja e taksave ishte një pikat për të cilat ai u sulmua më ashpër nga rivalja e tij në fushatën presidenciale, Hillary Clinton, që thoshte se zoti Trump donte të fshihte diçka, që nuk i bënte ato publike.

Megjithëse zoti Trump kishte përsëritur vazhdimisht se nuk mund t’i bënte publike taksat, sepse po inspektohej nga asgjencia e taksave, një pretendim që agjencia vetë e kishte hedhur poshtë, kjo çështje ngjalli interes të madh tek publiku para disa muajsh.

Që kur zoti Trump mori detyrën më 20 janar, mbi 1 milionë amerikanë kanë nënshkruar një peticion elektronik ku i kërkohet presidentit të nxjerrë dokumentat e taksave.

Shtëpia e Bardhë nuk ka thënë nëse ai ka në plan të bëjë publike formularët e taksave gjatë presidencës së tij.

XS
SM
MD
LG