Lidhje

Klinton: SHBA dënojnë me forcë publikimin e paligjshëm të informacionit sekret

  • Zëri Amerikës

Klinton: SHBA dënojnë me forcë publikimin e paligjshëm të informacionit sekret

Klinton: SHBA dënojnë me forcë publikimin e paligjshëm të informacionit sekret

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton tha sot se publikimi i dokumenteve sekrete amerikane nga Wikileaks, nuk është thjesht një sulm ndaj interesave të politikës së jashtëme amerikane por edhe një sulm ndaj komunitetit ndërkombëtar. Ajo i bëri komentet pas publikimit të qindra mijëra komunikimeve sensitive të diplomacisë amerikane nga Faqja e internetit WikiLeaks. Dokumentet zbulojnë mendime të shprehura nga zyrtarë diplomatikë amerikanë për udhëheqës dhe ngjarje të ndryshme botërore si dhe citojnë diskutime private të nivelit të lartë me zyrtarë të vendeve të ndryshme.

Sekretarja Klinton tha se ajo ka patur diskutime me homologët e saj lidhur me publikimin e dokumenteve nga WikiLeaks.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë publikimin e paligjshëm të informacionit sekret. Kjo vë jetë njerëzish në rrezik, kërcënon sigurimin kombëtar të vendit dhe minon përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të punuar me vende të tjera për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta,” tha zonja Klinton.

Publikimi i dokumenteve nga Wikileaks, tha sekretarja Klinton, nuk është thjesht një sulm ndaj interesave të politikës së jashtëme amerikane por edhe një sulm kundër komunitetit ndërkombëtar, aleancave dhe partneriteteve, bisedave dhe negociatave që shërbejnë për të ruajtur sigurinë globale dhe për të çuar përpara begatinë ekonomike.

Zonja Klinton tha se beson që partneritetet për ndërtimin e të cilave administrata e Presidentit Obama ka punuar aq shumë, do ta përballojnë këtë sfidë.

Ajo tha se nuk do të komentonte dhe as do të konfirmonte rreth atyre që ajo i quajti “komunikime të vjedhura të Departamentit të Shtetit”. Por zonja Klinton shtoi se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje të thellë rreth nxjerrjes së çdo informacioni që ka natyrë sekrete, duke përfshirë diskutime private mes homologësh ose vlerësime dhe vëzhgime personale të diplomatëve amerikanë.

Sekretarja e Shtetit tha se politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara nuk përcaktohet nga këto mesazhe por në Uashington. Politika amerikane, tha ajo, pasqyrohet në deklaratat dhe në veprimet e Shteteve të Bashkuara brenda dhe jashtë vendit.

Zonja Klinton tha se administrata amerikane po ndërmerr hapa agresive për të venë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që siç tha ajo, vodhën këtë informacion. Ajo tha se kishte dhënë udhëzime që në Departamentin e Shtetit të ndërmerren masa konkrete, përveç atyre në Departamentin e Mbrojtjes ,për të mbrojtur informacionin që incidente të tilla të mos përsëriten.

Puna e diplomatëve amerikanë, tha zonja Klinton nuk i shërben vetëm Amerikës por edhe miliarda njerëzve të tjerë kudo në botë. Çdo vend, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, tha ajo, duhet të jetë në gjendje të zhvillojë biseda të sinqerta lidhur me njerëzit dhe vendet me të cilat ata bashkëveprojnë si dhe të zhvillojë dialogje private me vendet e tjera për çështjet e interesit të përbashkët.

Mes komunikimeve të diplomatëve ka praj tyre që zbulojnë se Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, u ka bërë thirrje disa herë Shteteve të Bashkuara të sulmojnë Iranin për të shkatërruar programin e tij bërthamor dhe “për t’i prerë kokën gjarpërit”, siç thuhet në to.

Sipas komunikimeve sekrete të publikuara nga WikiLeaks, kryeministri rus, Vladimir Putin, shihet nga diplomatët si "alpha dog", Kancelarja gjermane, Angela Merkel përshkruhet si "Teflon" Merkel, ndërsa kryeministri italian Silvio Berluskoni quhet “i papërgjegjshëm dhe vanitoz".

Sipas faqes elektronike WikiLeaks, numri i dokumenteve ku përmendet Shqipëria është 822.

Themeluesi i faqes Wikileaks Xhulian Asanzh, në një telekonferencë për gazetarët në Jordani, kritikoi administratën Obama për masat ligjore kundër personave që nxjerrin dokumente qeveritare.

XS
SM
MD
LG