Lidhje

Turqia lë në fuqi ndalimin për Wikipedian


Një gjykatë turke hodhi poshtë të premten një ankesë të paraqitur nga enciklopedia në internet “Wikipedia”. Ankimimi lidhej me ndalimin që autoritetet turke i bënë javën e kaluar qasjes ndaj kësaj faqeje në internet.

Autoritetet turke thanë se faqja e internetit ishte "duke vepruar me grupe që po zhvillojnë një fushatë shpifjesh kundër Turqisë", kjo pasi “Wikipedia” refuzoi të hiqte një faqe ku vendi akuzohej për bashkëpunim me xhihadistët në Siri.

Mbrojtësit e fjalës së lirë në Turqi u shprehën kundër ndalimit dhe thanë se Turqia po ndalon qasjen në faqet e internetit dhe në median sociale në një shkallë të gjerë. Ata hodhën dyshime mbi masën për të ndaluar të gjithë faqen e internetit të Wikipedia-s, në të gjitha gjuhët, në një kohë kur kundërshtimet e autoriteteve turke i referohen vetëm dy faqeve në gjuhën angleze.

Në një deklaratë të bërë gjatë kësaj jave kreu i Autoritetit për Teknologjinë, Informacionin dhe Komunikimit në Turqi, Omer Fatih Sayan, tha se ndalimi do të hiqej vetëm nëse do të hiqeshin ato që ai i cilësonte si “faqe ofenduese”.

Themeluesi i “Wikipedias” Jimmy Wales në një reagim në “Twitter” shkruante se "qasja tek informacioni përbën një të drejtë themelore të njeriut". Ai u zotua të qëndrojë me popullin turk për të "luftuar për garantimin e kësaj të drejte”.

Ndërkohë, zoti Wales u hoq nga lista e të ftuarve që do të marrin pjesë në “World Cities Expo”, një konferencë e madhe ndërkombëtare, parashikuar të mbahet gjatë këtij muaji në Stamboll.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG