Lidhje

"Dimri i Pakënaqësive" merr shkas nga Pranvera Arabe


Ngjarjet e dramës, e cila konkurroi në festivalin e filmit të Venecias, zhvillohen gjatë protestave në sheshin Tahrir të Kajros

Regjizori egjiptian, Ibrahim El Batout e ka përdorur përvojën e tij mbi ngjarjet në atdhe për një film rreth Pranverës Arabe me titull "Dimri i Pakënaqësive". Drama, e cila konkuroi në festivalin e filmit të Venecias, merr shkas nga protestat në sheshin Tahrir të Kajros, që filluan më 25 janar 2011.

"Dimri i Pakënaqësive" me protagonistin kryesor Amr Waked në rolin e aktivistit politik Amr, bashkohet me gazetarin Farah, i luajtur nga aktori Farah Youssef, për të shtuar zërat e tyre në protestat masive, që ndihmuan në përmbysjen nga pushteti të regjimit të Presidentit Hosni Mubarak.

Skenat e filmit u regjistruan në qendër të Sheshit Tahrir më 10 shkurt, një ditë para se presidenti Mubarak të jepte dorëheqje.

Kariera e El Batout-it si regjizor dokumentari, i specializuar në zonat e luftës, e ka çuar atë në luftën Iran-Iraq, Liban, Bosnje, Afganistan, Ruandë dhe konflikte të tjera. Pasi protestoi në sheshin e Kajros nga 27 deri në 29 janar të vitit 2011, regjizori e gjeti veten të përfshirë nga emocionet.

"Një shkëndijë në qënien time mori jetë, madje edhe gjendja ime fizike
ndryshoi. Papritur çdo gjë filloi të merrte një kuptim tjetër dhe më në fund u pa qartë se një shpirt i thyer, ne të gjithë ishim të tillë, mund të ngrihet përsëri dhe është një tregues i rëndësishëm për qënien njerzore, jo vetëm për egjiptianët, se njeriu mund të shtypet, mund të humbasë edhe fenë e tij, por një ditë dielli do të lindë përsëri. Dhe nuk po flas me tone poetike, por për një gjë reale".


Protagonisti kryesor i filmit Amr Waked ishte një prej personaliteteve të para egjiptiane që foli hapur kundër Mubarakut.

"Ne të gjithë donim të shpërndanim parlamentin dhe të siguroheshim që Mubaraku nuk kandidonte më, sepse mandati i tij përfundonte në shtator. Më pas diçka ndodhi. Ai u dha një motivacion njerzve të vazhdonin protestat deri në largimin e tij nga pushteti. Ajo ishte gjëja më e mirë që kishte përjetuar ndonjëherë populli egjiptian dhe unë vetë".

Aktori i lindur në Kajro, i njohur për rolet e tij në filmat "Siriana," "Shtëpia e Saddamit" dhe "Peshku Salmon në Jemen", për vite me radhë refuzoi të komentonte rreth regjimit të mëparshëm.

"Ishte diçka e turpshme që jetonim në kushte të tilla dhe kisha arritur në një pikë që nuk dija ç’të thosha. Unë udhëtoj shumë nëpër botë dhe njerzit më pyesnin se si egjiptianë të arsimuar si unë pranonim regjimin e Mubarakut për një kohë të gjatë. Nuk dija si të përgjigjesha dhe ajo ishte një ndjenjë turpi, të cilën nuk e kam më".

Në qershor, kandidati i Vëllazërisë Myslimane, Mohamed Morsi u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të Egjiptit, diçka që e ka trishtuar regjizorin El Batout.

"Gjatë 6 muajve të fundit jam i pakënaqur për shkak të zhvillimeve të fundit politike. Ardhja në pushtet e lëvizjes Vëllazëria Myslimane, përzjerja e fesë me politikën, është diçka tepër negative për mua, që kurrë nuk do të funksionojë. Por të paktën ne po fillojmë të kuptojmë domethënien e demokracisë. Jam 49 vjeç dhe asnjëherë nuk kisha votuar dhe pas revolucionit unë votova për herë të parë, gjë që tregon se ne kemi bërë një ndryshim. Ndoshta ndryshimet në të ardhmen do të jenë graduale, ndoshta ndryshimet në të ardhmen nuk do të na pëlqejnë gjithnjë, por të paktën kemi provuar se mund të bëjmë ndryshime".

Për Amr Waked, mbajtja e pushtetit nga Vëllazëria Myslimane do të varet plotësisht nga populli egjiptian, që votoi për të.
XS
SM
MD
LG