Lidhje

Gara republikane në Uiskonsin

  • Kane Farabaugh

Fushata për të zgjedhur kandidatin republikan për zgjedhjet presidenciale amerikane po përshkon shtetin e Uiskonsinit, nga është Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan. Fushatën po e ndjek korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh. Ai ka shkuar në Uiskonsin, nga ku raporton se pretendenti kryesor për emërimin e Partisë Republikane Donald Trump duket qartë se ka mbështetje në radhët e klasës punëtore në një zonë industriale në Janesville, qyteti i lindjes së Paul Ryan:

William Collet vendosi në momentin e fundit të rrinte në radhë në Qendrën e Konferencave në Janesville me shpresën se do ta shihte nga afër Donald Trumpin. Ai thotë se ende nuk e ka krejt të prerë për kë do të votojë në zgjedhjet paraprake më 5 prill:

“Deri tani jam për Trumpin”.

Një ndër arsyet janë pikëpamjet e Trumpit për të kufizuar marrëveshjet tregtare ndërkombëtare:

“Të marrim si shembull marrëveshjen NAFTA të Amerikës së Veriut. Politikanët që e miratuan e dinin që do të humbisnim vende pune”.

Ky është ndër shqetësimet kryesore në Janesville, ku gjigandi i automobilëve General Motors ka një uzinë montimi që nuk punon prej afro 10 vjetësh.

Mbyllja e uzinës nënkuptoi mbylljen e mijëra vendeve të punës me pagë të mirë, duke ndryshuar mënyrën e jetesës në këtë qytet punëtorësh, që përfaqëson një bazë të konsiderueshme të elektoratit republikan.

“Shumë prej tyre më parë ishin demokratë. Baballarët e tyre punonin në industri. Kishin një shtëpi të mirë në një lagje të qetë. Kishin ndër rrogat më të mira të shtresës punëtore në vitet ’50 dhe ’60. Tani i kujtojnë ato vite dhe pyesin veten se çfarë ndodhi,” shpjegon pedagogu i historinë në Universitetin e Uiskonsinit, John Sharpless.

Ai vetë konkurroi pa sukses në vitin 2000 si kandidat republikan për Kongres. Zoti Sharpless thotë se udhëheqja republikane prej vitesh nuk e ka kuptuar si duhet elektoratin nga klasa punëtore:

“Ky grup është në vështirësi, është i zemëruar, ndjehet i harruar nga demokratët dhe tani ndjehet i harruar edhe nga republikanët. Trumpi është lidhur me ta përmes këtij zemërimi”.

Por 21-vjeçari Charlie Luiting thotë se ajo që e tërheq tek Trumpi është karriera e tij:

“Ai është simbol i biznesmenit amerikan. Për këtë më pëlqen”.

Por për Charlien ka edhe një alternativë tjetër, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve dhe deputet i zonës në Kongres, Paul Ryan, i cili ka qenë në një shkollë me nënën e tij:

“Nëse Paul Ryan hyn në garë, do të votoja për të, pasi kam lidhje personale me të. Kam besim tek Paul Ryan. Ai është i ndershëm, i drejtpërdrejtë”.

“Nëse Paul Ryan si për çudi bëhet kandidat, mendoj se do të ishte një konkurrent serioz për Hillary Clinton,” thotë pedagogu John Sharpless.

Por Paul Ryan ka thënë se nuk ka ndonjë interes për të konkuruar dhe beson se kandidati duhet të dalë nga konkurentët ekzistues në një garë ku duket se fitorja po i buzëqesh Donald Trumpit.

XS
SM
MD
LG