Lidhje

Withers: Shqipëria do të mund të arrijë ëndrrën që lindi njëqind vjet më parë

  • Arben Xhixho

Ambasador Withers do të shkojë në Shqipëri për 100-vjetorin e pavarësisë dhe do të marrë titullin Qytetar Nderi i Vlorës

Zëri i Amerikës: Ambasador Withers, ju do të shkoni në Shqipëri për 100-vjetorin e pavarësisë dhe do të merrni titullin Qytetar Nderi i Vlorës. A mund të ndani me ne mendimet tuaja për këtë udhëtim që do të bëni në Shqipëri, i cili me sa di është i pari që kur ju u larguat nga posti i ambasadorit.

John Withers: Keni të drejtë. Është hera e parë që shkoj në Shqipëri që nga largimi në gusht të vitit 2010. Mezi pres të shkoj përsëri. Shqipëria është një vend, nga i cili kam kujtimet më të ngrohta. Atje kam shumë miq dhe kam njohur shumë njerëz, kam ndjerë mirësinë dhe bujarinë e tyre ndaj meje. Nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen time për atë që po bën për mua qyteti i Vlorës, djepi i pavarësisë shqiptare. Ky është qyteti ku filloi gjithçka, ku u ngrit flamuri më 28 nëntor 1912. Kjo u bë shkak për një sërë ngjarjesh të mëdha që i dhanë drejtimin, madje identitetin Shqipërisë së sotme. Të jesh atje në një kohë të tillë për të marrë këtë titull, është një nder, më i madh se çdo nder tjetër që më është bërë ndonjëherë në jetë. Prandaj e vlerësoj thellë dhe në një farë mënyre jam i mrekulluar nga kjo ngjarje.

Zëri i Amerikës: Historia është pasioni juaj. Tani që Shqipëria feston 100-vjetorin e pavarësisë, po ta kthejmë kokën prapa, do të shohim se historia nuk ka qenë dhe aq e mirë me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Pas sundimit të gjatë osman, menjëherë pasi Shqipëria u shpall e pavarur, kemi Luftën e Parë Botërore. Kur vendi përpiqej të rindërtohej, erdhi Lufta e Dytë Botërore. Pas kësaj, për 50 vjet, Shqipëria u sundua nga regjimi komunist. Kanë qenë vetëm 20 vitet e fundit në të cilat Shqipëria është përpjekur të ndërtojë një shoqëri moderne mbi parimet e demokracisë. Mendoni se këto 20 vjet kanë mjaftuar për të kapërcyer këtë trashëgimi të vështirë?

John Withers: Është një pyetje shumë e goditur, si nga pikëpamja historike dhe politike por edhe nga pikëpamja e publikut shqiptar dhe e perceptimit të tij se në ç’drejtim kërkon të shkojë dhe çfarë kërkon të bëjë. Po lexoja një rrëfim të një udhëtari anglez me emrin John Hobhouse, i cili e vizitoi Shqipërinë në vitin 1809. Ai thotë diçka interesante që më bëri shumë përshtypje. Ai tregon se kur ishte në Shqipëri, duke biseduar me udhëtarë të tjerë, ata e identifikonin veten me një besim të caktuar fetar, por kur pyeste vendasit se çfarë ishin, ata gjithnjë thoshin: jam shqiptar. Mendoj se kjo vetëdije u bë themeli i Rilindjes dhe i hapit të madh që Shqipëria feston këtë vit – i pavarësisë kombëtare. Ismail Qemali dhe ata njerëz që ngritën flamurin në Vlorë më 28 nëntor 1912, e çuan më tej atë vetëdije të të qenit shqiptar. Ata i shtuan kësaj ndjenje të shqiptarisë, sensin e vetëvendosjes, ku u mbështetën nga presidenti ynë Woodrow Wilson, si dhe vendosmërinë për liri. Siç e thatë edhe ju, kjo dëshirë dhe kjo ëndërr që ata kishin për një Shqipëri të lirë, u godit nga shumë e shumë forca historike, më e keqja ndër të cilat ishte periudha komuniste. Tani komunizmi nuk është më në fuqi dhe çështja është se çfarë duhet ndërtuar në vend të tij. A duhet zbatuar në praktikë vizioni i Ismail Qemalit, a duhet realizuar ajo ëndërr? Kjo është pyetja që shqiptarët duhet t’i japin vetë përgjigje. Dhe së fundi, duke krijuar këtë sens të ri të Shqipërisë moderne që filloi më 28 nëntor 1912, lëvizja për pavarësi, burrat dhe gratë trime të asaj kohe kanë lënë trashëgiminë e tyre, trashëgiminë e lirisë, të pavarësisë dhe të parimeve demokratike. Përsa kohë që shqiptarët i përmbahen asaj, përsa kohë që ata e shikojnë me mirënjohje dhe admirim atë periudhë të shkuar, duke i mbajtur ato parime në zemër, Shqipëria do të mund të arrijë ëndrrën që lindi njëqind vjet më parë.

Zëri i Amerikës: Më lejoni t’ju pyes: si do ta karakterizonit gjendjen e demokracisë sot në Shqipëri?

John Withers: Mendoj se pikëpamjet e mija janë të njohura. Sekretarja Clinton në mënyrë mjaft të artikuluar shprehu mendimet e saj, por unë e shoh këtë rast të veçantë si momentin për të hedhur sytë tek parimet më të larta, tek parimet themelore, sesa të përpiqemi të analizojmë se cila është gjendja e demokracisë apo e politikës sot. Këto parime më të larta, janë parime për të cilat unë gjithmonë kam qenë krenar dhe i kënaqur që i kam gjetur mes shqiptarëve kur isha atje. Me fjalë të tjera, megjithë vështirësitë dhe historinë tragjike të Shqipërisë, gjithnjë ka ekzistuar besimi se Shqipëria do të ngrihet. Dhe, me këtë besim, asgjë nuk mund t’i ndalë aspiratat e popullit.

Zëri i Amerikës: Më lejoni t’ju bëj edhe një pyetje: Ku i shikoni sfidat kryesore për Shqipërinë në të ardhmen?

John Withers: Mendoj se sfidat me të cilat përballet vendi në atë rajon janë të mëdha e të shumta. Njëra prej tyre është trashëgimia historike. Shqipëria nuk është mësuar me demokracinë ashtu siç është bërë standarde në vendet e tjera të botës, për shembull në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore. Sfida është këmbëngulja te parimet e udhëheqjes. Mënyra themelore për të arritur ëndrrën e 1912-ës nuk është duke i bërë punët nga lart poshtë por nga poshtë lart. Mësimi i vërtetë i demokracisë është se udhëheqësit drejtojnë me vullnetin e popullit dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kam besim të plotë se Shqipëria ndodhet në prag të një lindjeje të re të lirisë. Duke mësuar se autoriteti më i lartë i takon popullit, ata do të mund të kapërcejnë çdo sfidë, si në aspektin ekonomik, social apo politik. Unë vazhdoj të jem optimist dhe të kem shumë besim tek Shqipëria dhe tek populli shqiptar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG