Lidhje

Gratë, tani në detyra luftarake

  • Jeff Swicord

Vendimi i ri u jep mundësi grave të angazhohen në luftime

Me një vendim historik, Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta ka hequr pengesat që nuk lejonin gratë të angazhoheshin në detyra luftarake. Ushtria dhe Korpusi i Marinës, që përfaqësojnë pjesën dërrmuese të forcave ushtarake amerikane, pritet të paraqesin planet e tyre deri më 15 maj për t’u ofruar grave mundësi punësimi.

Vendimi i Sekretarit Panetta pason një rekomandim të gjeneralëve më të lartë të vendit, të cilët bëjnë pjesë në Shtabin e Lartë të Ushtrisë, gjë që la të habitur shumë vëzhgues.

“Gratë në ushtri janë ballafaquar me realitetin e luftës, kanë dëshmuar gatishmërinë për të luftuar dhe për të dhënë jetën në mbrojtje të bashkë-kombasve”.

Vendimi anulon një direktivë të vitit 1994, e cila kufizon rolet që mund të luajnë gratë në zona luftimesh. Ata thonë se gratë faktikisht kanë luftuar përkrah burrave në Irak dhe Afganistan dhe nuk janë nderuar për arritjet e tyre.

Gjeneralja e Forcave të Armatosura në pension Wilma Vaught është presidente e Fondacionit Përkujtimor për Gratë në Shërbim Ushtarak.

“Në vitet 1990-1991 e kuptuam se nuk ka më vijë fronti në kuptimin tradicional, pasi luftimet mund të zhvillohen kudo. Gratë ishin të përfshira në këtë realitet. Kishim njësi me gra ushtarake që nevojiteshin në këto luftime”.

Por veteranë të tjerë e konsiderojnë si vendim të gabuar. Gjenerali i Ushtrisë në pension Jerry Boykin, tani anëtar i Këshillit për Kërkime mbi Familjen me pikëpamje konservatore, thotë se ky vendim sjell presion të panevojshëm mbi komandantët që duhet të përqëndrohen tek suksesi i misionit dhe siguria e ushtarëve:

“Nuk ka privaci. Nuk ka mjedise për higjenë vetjake apo nevoja të tjera. Kjo bëhet barrë mbi komandantët e të gjitha niveleve, pasi ata duhet të gjejnë mënyra për të bërë ndarje gjinore për këto nevoja”.

Ekspertët e Pentagonit thonë se ligjvënës dhe aktivistë për të drejtat civile kanë kërkuar që ushtria të jetë më gjithëpërfshirëse.

Po ashtu një numër grash kanë ngritur padi kundër Pentagonit, me argumentin se përjashtimi i grave nga luftimet përbën diskriminim.

Gjeneralja Vaught thotë se ky ndryshim u jep grave mundësinë të arrijnë poste në komandë, për të cilat kërkohet përvoja në luftime.

“Grave u është mohuar mundësia për avancim në karrierë, pasi nuk plotësojnë kushtet për të aplikuar për disa nga këto poste”.

Ndryshimi më i madh do të vërehet në Ushtri dhe Korpusin e Marinës, ku gratë nuk kanë qasje në 25 për qind të detyrave në shërbimin aktiv ushtarak.

XS
SM
MD
LG