Lidhje

Zgjedhja e grave në Kongres

  • Elizabeth Lee

Ndërsa numri i grave në Kongresin amerikan ka arritur shifra rekord, ato përbëjnë vetëm 20 përqind të të dyja dhomave – shumë më pak sesa popullata amerikane, ku mbi 50 përqind janë gra. Përqindja e grave në Shtetet e Bashkuara në poste publike është mbrapa vendeve të tjera përfshi disa që nuk konsiderohen vende me të ardhura të larta. Në Konferencën Globale të Institutit Milken zhvilluar kohët e fundit në Los Anxhelos disa analistë politikë shpjeguan arsyet përse ka ende një hendek të madh gjinor në politikën amerikane.

Megjithatë, gratë po shënojnë përparime thotë ligjvënësja e re Mimi Walters, megjithëse jo sa duhet. Walters ishte pjesë e një paneli që diskutoi arsyet se përse nuk ka më shumë gra në Kongres dhe jetën publike.

Një arsye është perceptimi negativ për qeverinë, thotë ligjvënësja Tulsi Gabbard nga Hawaii:

“Mendoj se ka një shkëputje veçanërisht nga gjenerata e këtij shekulli, nga njerëzit e talentuar dhe të suksesshëm, novatorët e mëdhenj që thonë se përse duhet të përfshihem më një entitet jo-funksional të quajtur qeveri.”

Edhe në se gratë janë të interesuara të konkurojnë për poste, ato mund të mos kenë mjetet për të fituar fushatën elektorale:

“Nuk mund të përcjellësh mesazhin në se nuk ke para dhe pjesë e problemit për gratë për të grumbulluar fonde është se shumë herë gratë janë pjesë e forcës punëtore dhe bëjnë atë që bëra unë, largohen nga puna dhe qëndrojnë në shtëpi me fëmijët dhe kështu e humbasin rrjetin e kontakteve.”

Janë pikërish këto rrjete që financojnë një fushatë. Ndërsa disa sfida me të cilat përballen gratë nuk kanë zgjidhje të thjeshta. Panelistët thanë se ka çështje që mund të zgjidhen për të patur më shumë gra të kualifikuara të garojnë për poste:

“Duhet të bisedoni me organizatat tuaja rreth rrugëve që mund të investohet për të patur të reja të kualifikuara. Kemi krijuar një program këtë verë që sjell gra të reja në moshën universitare dhe i ekspozon ato me modele si Mimi dhe Tulsi, i mëson ato me Uashingtonin dhe i ndihmon të kuptojnë se kjo është një ëndër që mund të jetë e tyrja..”

Gratë që kanë arritur sukses janë shembull thelbësor për të nxitur më shumë gra në politikë thotë zonja Walters.

“Gratë duhet të udhëheqin me shëmbullin e tyre dhe duhet të shohim tek e ardhmja e vendit tonë dhe mendoj se është përgjegjësia jonë për të këshilluar këto vajza të reja.”

Me shpresën se këshillimi do t’u tregojë vajzave të reja atë që mund të jetë qeveria dhe t’i frymëzojë ato të garojnë për poste publike.

XS
SM
MD
LG