Lidhje

Shqipëri: pjesëmarrja e grave në politikë

  • Ilrian Agolli

Në Tiranë, Aleanca e Grave Deputete kërkoi rritjen e mëtejshme të përfaqësimit të tyre në politikë dhe institucionet vendim-marrëse.

Në zgjedhjet e fundit vendore ato zunë rreth 35 për qind të vendeve për këshilltare bashkiake. Tani ato synojnë të arrijnë gjysmat e kandidaturave për zgjedhjet e përgjithshme.

Gjendja e grave në Shqipëri vazhdon të jetë e rëndë dhe të drejtat e tyre njerëzore shkelen gjerësisht. Veprimtaret besojnë që gjendja mund të përmirësohet me pjesëmarrjen tyre më të madhe në punën e institucioneve politikë-bërëse.

Aleanca e grave deputete kërkoi sot rritjen e mëtejshme të grave në politikë dhe vendim-marrje përmes një angazhimi më të madh të vetë atyre dhe përmes lehtësirave ligjore që po sigurohen hap pas hapi pro tyre.

Aleanca organizoi sot një takim me UNDP dhe me gratë në pushtetin vendor për të rritur më tej këtë objektiv, sepse është provuar tashmë që në sektorët ku drejtojnë gratë qeverisja ka më tepër rezultate dhe më pak korrupsion dhe shpërdorim pushteti.

Zonja Valentina Leskaj, nënkryerare e parlamentit tha se në zgjedhjet vendore ishin 50 për qind gra kandidate, dhe u zgjodhën rreth 35 për qind prej tyre.

Tani është koha që kuota për gratë në politikë të rritet më tej, tha ajo.

Aleanca e grave deputete mendon se ligjet, kuotat dhe zgjedhjet e fundit nuk sollën vetëm shifra pro grave, por zbuluan edhe cilësitë e tyre qeverisëse.

Tani nevojitet qëndrueshmëri në këto arritje dhe ngritje në nivele të tjera përfaqësimin e grave në institucionet vendim-marrëse.

Ajo që u arrit në zgjedhjet e fundit për këshillat e pushtetit vendor dhe po synohet të arrihet edhe për zgjedhjet parlamentare.

Shoqëria civile dhe organizatat e grave po përpiqen që të shtojnë deri në 50 për qind kuotën e grave në parlament.

Gratë dhe vajzat shqiptare kanë ende një status të ulët në shoqëri; ato vuajnë nga dhuna në familje dhe diskriminohen në punë, ndërsa të drejtat e tyre fillestare shkelen rëndom si në qytet dhe në fshat.

Veprimtaret besojnë se duke ngritur numrin e grave në institucionet vendim-marrëse do të rritet edhe kujdesi ndaj tyre, duke hartuar ligje në favor të grave dhe vajzave për t'i trajtuar ato me dinjitet si qytetare të barabarta me burrat, edhe pse këta të fundit i kanë hyrë zngazhimeve politike shumë më herët.

XS
SM
MD
LG