Lidhje

Gratë republikane, rol të spikatur në zgjedhjet e 2 nëntorit

  • Rudina Dervishi

Gratë republikane, rol të spikatur në zgjedhjet e 2 nëntorit

Gratë republikane, rol të spikatur në zgjedhjet e 2 nëntorit

Në Shtetet e Bashkuara, një numër rekord grash konservatore republikane, po luajnë tani një rol të rëndësishëm në politikë, dhe shumë prej tyre janë kandidate në zgjedhjet e javës së ardhshme me 2 nëntor për në kongres.


Kandidatet republikane po luajnë një rol të rëndësishëm në fushatat e zgjedhjeve për kongres dhe guvernatorë në Shtetet e Bashkuara.


Majkëll Obrajën i gazetës Hill thotë se këto gra janë ndryshe nga kandidatet e së kaluarës, shumica e të cilave ishin demokrate të stilit radikal.
“Ato kanë prirjen të jenë shumë konservatore, si Sheron Engëll në Nevada apo Kristin Odonëll në Delëuer. Ato janë pjesë e brezit të ri të grave udhëheqëse në Partinë Republikane, ku Sara Pejlin është simboli i tyre jozyrtar.”

Engëll dhe Odonëll janë të dyja kandidate për senatin amerikan, dhe të dyja e quajnë veten – republikane të Lëvizjes “Tea Party” – që do të thotë se besojnë në një rol të kufizuar të qeverisë, një ushtri të fortë dhe taksa të ulta.

Ish guvernatorja e Alaskës dhe favoritja e Lëvizjes “Tea Party” Sara Pejlin u ka dhënë mbështetjen disa prej këtyre grave konservatore kandidate. “I them Uashingtonit se nuk mund t’i pengojë nënat që po dalin si udhëheqëse.”

Mishel Bernard i Forumit të Grave të Pavarura është dakord me idenë se ky grup i ri kandidatesh është ndryshe.

“Sot i sheh gratë të bëjnë fushatë për ekonominë, arsimin, varfërinë, begatinë, sigurinë kombëtare dhe terrorizmin. Kemi arritur në një pikë ku publiku amerikan e sheh se çështjet e grave nuk janë ndryshe prej burrave.”
Bernard thotë se Sara Pejlin mund të jetë frymëzim për disa kandidate gra:
"Besoj se të gjitha këto gra do të garonin dhe ndoshta kanë menduar të garonin shumë kohë para se Sarah Palin të bëhej kandidate për nënpresidente. Mendoj se gratë janë angazhuar në politikë në nivel lokal dhe kombëtar për një kohë të gjatë dhe më në fund po shohim se gratë po ngjiten në nivele të larta".

David Hawkings me revistën Congressional Quarterly shprehet kështu për ndikimin e zonjës Palin tek gratë që garojnë:"Mendoj se është e drejtë të them se ato u frymëzuan prej saj, më pak nga fakti se ishte një tjetër grua, sesa nga që ajo përqafoi atë ideologji dhe lëvizje si Tea Party".

Gratë përbëjnë tani 51 përqind të popullatës së përgjithshme amerikane, por përbëjnë vetëm 17 përqind të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 17 përqind në Senat.
"Çdo grua republikane apo demokrate, që do të fitojë, nuk do të ndryshojë numrin. Në Kaliforni për shembull, Karli Fiorina ish drejtuesja e Hewlett Packard dhe kandidate republikane për në Senat po garon kundër një tjetër gruaje, Barbara Boxer. Kështu që kushdo që fiton nuk do të ndryshojë numrin e grave".

Disa gra që mund të humbasin vendet e tyre këtë vit si Boxer dhe demokratja Blanche Lincoln në Arkansas mbajnë poste të fuqishme në komisionet e kongresit. Dhe në se republikanët fitojnë kontrollin e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, kryetarja Nancy Pelosi do të humbasë pozitën si e para grua drejtuese e Dhomës së Përfaqësuesve në historinë amerikane.

XS
SM
MD
LG