Lidhje

Kushtet e punës tek vendet në zhvillim

  • Deborah Block

Shembja e një ndërtese që shërbente si fabrikë veshjesh në Bangladesh para pak javësh mori përmasat e një tragjedie. Më shumë se 500 veta gjetën vdekjen. Kjo fatkeqësi tërhoqi vëmendjen e të gjithëve drejt problemeve që hasen me fabrikat e veshjeve në vendet në zhvillim. Pagat e ulëta dhe aftësia për të prodhuar veshje të cilësisë së lartë janë arsyet se përse fabrikat e veshmbathjeve zhvendosen në këto vende.

Ndërtesa u shemb vetëm pesë muaj mbasi një zjarr masiv vrau më shumë se 100 njerëz në një tjetër fabrikë veshjesh në Bangladesh. John Sifton, Drejtori i organizatës “Human Rights Watch”për Azinë, thotë se pronarët e fabrikës dhe qeveria duhet të marrin masa për sigurinë e godinave. Ai beson se kushtet do të përmirësoheshin nëse punonjësit e veshmbathjeve do të ishin në sindikata dhe do të ngrinin padi për rastet e plagosjeve:

“Bangladeshi ka kushte pune shumë problematike dhe pjesë e e arsyes se përse punonjësit punojnë kaq shumë për të prodhuar veshje cilësore në kohë të shkurtër, është pasi ata nuk kanë të drejta”.

Pietra Rivoli, një profesore biznesit në Universitetin Georgetown në Uashington, thotë se legjislacioni duhet të ndryshojë kushtet në Bangladesh. Sipas tij duhet ushtruar presion nga kompanitë blerëse amerikane:

“Nëse bëhet e qartë se një fabrikë nuk do të marrë porosi deri sa të respektohen standartet minimale, atëherë fabrika prodhuese do të nisë të kushtojë vëmendje ndaj problemit”.

Mbas Kinës, Bangladeshi është eksportuesi i dytë më i madh i veshjeve. Zoti Sifton thotë se Bangladeshi paguan 3.5 milionë punonjës për veshmbathje që kanë ndër pagat më të ulëta në botë.

“Ata vijnë nga një shoqëri me standart të ulët ekonomik, dhe ata nuk pretendojnë shumë kur iu ofrohet një pagë që nuk do të ishte e pranueshme në asnjë vend tjetër të botës”.

Pagat e ulëta dhe aftësia për të prodhuar veshje të cilësisë së lartë janë arsyet se përse fabrikat e veshmbathjeve zhvendosen nga një vend në tjetrin.

“Kina ishte forca dominuese pesë apo 10 vjet më parë, por pagat në Kinë, u trefishuan dhe prodhimi i veshjeve u shtrenjtua në Kinë. Ndaj, kur papritur nis të jetë e shtrenjtë kostoja e pagave të punonjësve, kjo është një arsye që prodhuesit e rrobave të nisin kërkimet për vende me kosto më të ulët. Shembuj janë vende si Vietnami, Bangladeshi, Pakistani, India”.

Ndërsa puna është kostoja e vetme më e madhe në Shtetet e Bashkuara, kompanitë amerikane kanë gjetur si mundësi me kosto më të ulët ekonomike përdorimin e kontraktorëve të huaj për prodhimin e veshjeve .

“Ata porosisin mallin që duan përmes një sistemi furnizues të komplikuar ndërkombëtar. Ndonëse ne kemi prirjen që të shohim një diferencë të madhe në çmimin që ato mallra shiten në dyqan me rrogat e punonjësve, në fakt nuk ka palë të treta në këtë proces, dhe të ardhuart e fituara janë shumë të mëdha”.

Zonja Rivoli thekson se fabrikat e veshjeve lejojnë industrializimin që të hedhë rrënjë e të lulëzojë. Ajo thotë se kjo ndodhi në Britani në vitet 1700, në Shtetet e Bashkuara në vitet 1800 dhe në Kinë rreth 10 vite më parë.

XS
SM
MD
LG