Lidhje

Dita Ndërkombëtare e Sidës


Organizata Botërore e Shëndetësisë po shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Sidës, duke e vënë theksin tek nevoja për ta bërë terapinë antiretrovirale të mundur për të gjithë ata që kanë virusin e HIV-it.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin thotë se rreth 16 milionë prej 37 milionë vetëve që jetojnë me HIV, virusi që shkakton Sidën, aktualisht marrin atë kombinim ilaçesh dhe se përdorimi universal i tij është rrugazgjidhja për t’i dhënë fund epidemisë së Sidës brenda një brezi.

OBSH-ja përmend studime që tregojnë se personat që fillojnë kurën pak pasi kanë marrë virusin, kanë më pak gjasa që t’ia transmetojnë të tjerëve, ndërkohë që edhe shëndeti i tyre përmirësohet.

Si rezultat Organizata po bën thirrje që njerëzit të bëjnë analizat në mënyrë që ta dinë nëse kanë HIV dhe që ata që marrin rezultate pozitive t’i fillojnë kurat më herët. OBSH thotë se trajtimi universal antiretroviral mund të parandalojë 21 milionë vdekje nga Sida dhe 28 milionë raste të reja infektimi deri në vitin 2030.

Dita Botërore e Sidës shënohet çdo vit më 1 dhjetor, që nga 1988-a për të shprehur mbështetje për ata që jetojnë me HIV.Sida, për të kujtuar ata që kanë humbur jetën dhe për ta përqendruar vëmendjen tek përpjekjet për ta luftuar atë.

Tema e këtij viti e Ditës Botërore të Sidës është "Getting To Zero", “Drejt nivelit zero”. Kombet e Bashkuara thonë se numri i infeksioneve të reja me SIDË është ulur 20 për qind që nga viti 2000 dhe vdekjet për shkak të epidemisë kanë rënë 42 për qind që nga piku i saj, në vitin 2004.

Komuniteti botëror ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë në betejën kundër virusit HIV dhe SIDË-s. Në se marrin trajtimet e nevojshme, njerëzit e prekur nga ky virus mund të kenë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Në se ata marrin ilaçe kundër SIDË-s, sasia e virusit në gjakun e tyre mund të jetë kaq e vogël, sa që është e pamundur të infektojë të tjerët. Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se një tabletë në ditë mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit me HIV për personat që nuk e kanë virusin.

Dr. Anthony Fauci, i cili ka vite që punon për virusin HIV dhe SIDË-n thotë se në luftën kundër sëmundjes është shënuar sukses global.

"Nëse i hedh një vështrim grafikut të epidemisë, duket se jemi drejt fundit të saj, në kuptimin se ajo nuk është më në rritje si më parë; shohim se ajo ka prirjen të shkojë drejt rënies.”

Megjithatë, në botë ka përsëri 37 millionë njerëz të prekur nga virusi HIV, dy milionë infeksione të reja dhe mbi 1 milionë vdekje në ditë; por edhe në zonën më të prekur nga epidemia në rajon, Afrikën Nën-Sahariane, vihet re përparim. Infeksionet e reja me virusin HIV kanë rënë 40 për qind në 15 vitet e fundit. Megjithatë, moshat e reja janë më të rrezikuara të preken nga virusi HIV dhe SIDA.

"Burra më të moshuar infektojnë gra të reja të moshë 15 deri 24 vjeçare dhe më pas këto gra, 5-6 vjet më vonë do të infektojnë parnerët e tyre të rinj, rreth moshës 20-vjeçare. Pra, në se duam të të ndryshojmë kursin e përgjithshëm të epidemisë, duhet që burrat më të moshuar të trajtohen me ilaçe; po ashtu, nevojiten programe që t’i ndihmojnë gratë e reja të mos infektohen nga virusi”, - thotë zyrtarja e Departamentit të Shtetit.

Po ashtu, më të rrezikuar janë edhe përdoruesit e drograve intravenoze, si dhe burrat homoseksualë. Rodney McCoy është aktivist i SIDË-s, i cili është i infektuar nga virusi HIV. Ai i tha Zërit të Amerikës se çfarë sheh ai si pengesën më të madhe në përpjekjet për të patur një brez të ri pa SIDË.

“Që të mos flitet më për virusin HIV, apo për sjelljet sekuale, mos bërja e analizave. Pengesë është gjithashtu refuzimi për të pranuar se virusi HIV vazhdon të jetë problem dhe për ta parë atë si rrezik për të gjithë.”

Të pranosh se virusi HIV është real, të eliminosh stigmën që ekziston rreth sëmundjes dhe që të ketë më shumë njerëz që punojnë për zbulimin e ilaçve kundër SIDË-s, këta faktorë do ta çojnë epideminë drejt zhdukjes.

XS
SM
MD
LG