Lidhje

Perspektiva e ekonomisë botërore

  • Mil Arcega

Rimëkëmbja ekonomike po e rimerr vrullin, sipas parashikimeve të reja të Bankës Botërore. Por ndryshe nga vitet e mëparshme, sipas Bankës Botërore, forca shtytëse e rritjes ekonomike këtë vit pritet të jenë vendet me të ardhura të larta.

Pesë vjet pas krizës financiare, Banka Botërore thotë se ekonomia globale ka arritur në një pikë kthese, këtë herë nën udhëheqjen e ekonomive të përparuara. Kjo është veçanërisht e vërtetë për vende si Shtetet e Bashkuara, thotë Andrew Burns, një nga autorët kryesorë të raportit të Bankës Botërore, “Perspektiva e ekonomisë botërore”.

“Për herë të parë në 5 vjet, ekonomitë e vendeve me të ardhura të larta po rriten më shpejt. Ato do të kontribuojnë tek rritja ekonomike botërore në mënyrë të tillë, që nuk ka ndodhur për një fare kohe. Kjo ka për të qenë diçka e mirë për vendet në zhvillim.”

Banka Botërore parashikon se ekonomia botërore do të shënojë një rritje prej 2.8 për qind këtë vit nga 1.8 për qind që ishte vitin e kaluar. Kryekonomisti i Bankës, Kaushik Basu pret të ndodhë diçka e ngjashme edhe në Evropë, e cila doli nga recesioni vitin e kaluar.

“Sipas vlerësimeve, Evropa pati një rritje negative 0,4 për qind, por ne presim që kjo të kthehet në pozitive 1,1 për qind. Kjo nuk është një rritje e rëndësishme, por duke patur parasysh vështirësitë që ka përjetuar Evropa në 6 vitet e fundit, ky është një lajm me të vërtetë i mirë.

Një paqartësi e madhe mbetet ndikimi që ka vendimi i Bankës Qendrore të Shteteve të Bashkuara për ta ngadalësuar stimulimin e ekonomisë nëpërmjet blerjes së bonove të thesarit.

Por zoti Basu thotë se pasojat mund të jenë të parëndësishme, ngaqë shumë vende filluan të ndjejnë ndikimin e interesave më të larta, pasi Banka Qendrëre Amerikane dha shenja për synimet e saj që nga mesi i vitit 2013.

“Në Afrikën e Jugut, në Indonezi, në Indi, kurset e këmbimit po shkonin poshtë. Tashmë ka ndodhur një farë përshatjeje. Pra kur Rezervat Federale në ShBA pakësuan blerjen e bonove nga 85 në 75 miliardë në muaj, ndikimi nuk ishte edhe aq i madh, pasi në një farë mënyrë kjo ishte e pritshme.”

Rritja ekonomike në Kinë, që mbetet ekonomia e botës me rritjen më të shpejtë, pritet të mbetet e qëndrueshme, në nivelin 7,7 për qind.

Por zoti Basu thotë se ndjehet më entuziast për perpektivën e rajoneve të Afrikës nën Sahariane, ku këtë vit pritet të ketë një rritje ekonomike 5,3 për qind.
XS
SM
MD
LG