Lidhje

Përmirësimi i ushqyerjes së fëmijëve


UNICEF, Fondi i OKB-së për Fëmijët, thotë se kequshqyerja është shkaku i vdekjes çdo vit, të tre milionë fëmijëve nën moshën pesë vjeçare. Organizata thotë se një në katër fëmijë mbeten prapa në shkollë, për shkak të trurit dhe organeve të pazhvilluara. Ata kanë shkallë të ulët të inteligjencës dhe kanë më pak gjasa për të shpëtuar nga varfëria. Kur rriten, vajzat e kequshqyera lindin fëmijë të kequshqyer. Cikli përsëritet brez pas brezi. Tani, po krijohet një fond i ri dhe novator për të grumbulluar një miliard dollarë për të përmirësuar dietat e fëmijëve.

Zyrtarët ndërkombëtarë të shëndetësisë thonë se dy kapsula në ditë me vitamin A pakësojnë me 22 përqind shanset që një fëmijë të vdesë. Fëmijët me mungesë jodioje humbasin 13 pikë në shkallën e inteligjencës dhe qëndrojnë një vit më pak në shkollë. Po bëhen përpjekje për të nxitur mbështetjen e shëndetit të fëmijëve me vitamina dhe minerale, për të pakësuar problemin. Zyrtarët mbështesin gjithashtu ushqyerjen me qumësht gjiri dhe ushqime të fortifikuara me vlera për shëndetin. Por shumë programe me ndikim të lartë janë të pambështetura me fonde.

Fondi i ri i Fuqisë së Vlerave Ushqimore synon ta ndryshojë këtë. Përpjekja e re do të ndihmojë në mobilizimin e një miliardë dollarëve për programe ushqyese deri në vitin 2020.

Iniciativa tani ka 55 milionë dollarë nga filantropia britanike, Fondi i Investimeve për Fëmijët. Kjo do të tërheqë të paktën 100 milionë dollar nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA), pjesë e Bankës Botërore.

Kontributorë të tjerë të profilit të lartë përshijnë Fondacionin Optimus UBS ($26 milionë) dhe Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar në Britani, ($47 milionë). Banka Botërore dhe UNICEF do të ofrojnë fonde të përshtatshme. Ato do të shumëfishojnë me 5 ose 6 herë çdo dollar në kontribute private.

Michael Anderson, drejtori ekzekutiv i Fondacionit për Investime tek Fëmijët, thotë se Forca e Ushqimit do t’u bëjë thirrje donatorëve tradicionalë dhe jo-tradicionalë:

“Mënyra se si do të funksionojë kjo strategji është se për të arritur tek një milliard dollar ne duhet të fillojmë të grumbullojmë 150 milionë dollarë të tjerë nga donatorët privatë dhe jo-tradicionalë. Këto 150 milionë dollarë do të dyfishohen nga fondi “Forca e Ushqimit” në 300 milionë dollarë. Pra ne do të barazojmë paratë e grumbulluara nga donatorë jo-tradicional me fonde nga partnerët publikë, përfshi FDID, që ka qënë një nga partnerët dhe mbështetësit kryesor. Këto 300 milionë dollarë do të shumëfishohen përsëri në 600 milionë, në 900 milionë, në varësi të miratimit nga UNICEF-I, apo Banka Botërore. UNICEF ka premtuar të dyfishojnë fondet e dhëna nga donatorë të rinj dhe kjo do të sjell para që do të ndihmojnë në mobilizimin e Shoqatës Ndërkombëtare të Zhvillimit”.

Fondet mund të përdoren nga vende si Tanzania, që koordinon programet e ndihmës ushqimore mes nëntë ministrive. Saada Mkuya Salum është ministre e financave e këtij vendi.

Ajo thotë se Tanzania ka pakësuar një çështje të lidhur me të ushqyerit, rritjen e ngadaltë tek fëmijët, me deri në tre për qind në vit, përmes një përpjekjeje që ka mbështetje politike nga baza, deri në presidencë:

“Ne po përpiqemi të përmirësojmë platformën e ushqimeve të fortifikuara …me grurë dhe vaj ushqimor. Përpiqemi të sigurojmë se burimet e brendshme janë të gërshetuara me programet ushqimore. Rritja e popullatës sonë është e lartë tek tre përqindshi, pra ka shumë potencial për të mbështetur vlerat ushqyese dhe deri në vitin 2025 të bëhemi vend me të ardhura të mesme.”

Ekspertët thonë se shëndeti i mirë është shumë i rëndësishëm për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Ata thonë se vende në Afrikë dhe Azi humbasin gati 11 përqind të prodhimit ekonomik nga efektet e kequshqyerjes. Nga ana tjetër, ekspertët thonë se mirë-ushqyerja rezulton në rritjen e shëndetshme të fëmijëve, në jetë produktive me shanse të mira për të marrë të ardhura më të larta.

Ministrja e financave e Tanzanisë thotë se përpjekjet e vendit të saj për të përmirësuar ushqyerjen e fëmijëve kanë vetëm rreth 25 përqind të fondeve të nevojshme. Pa iniciativën e re “Forca e Ushqimit”, që nisi këtë javë, thotë zonja Salam, ëndërra e Tanzanisë për të përparuar në statusin e vendeve me të ardhura të mesme nuk do të bëhet realitet.

XS
SM
MD
LG