Lidhje

BB, automatizimi do të eliminojë shumë vende pune


Ndërsa zyrtarët po mblidhen në Uashington për takimet vjetore të pranverës të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të enjten zyrtarët e ddy institucioneve ndërkombëtare paralajmëruan për ndikimin negativ nga ndryshimet e shpejta në ekonominë globale. Është fjala për ndikimin që do të kenë ritmet e përparimeve teknologjike mbi vendet e punës, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Robotika, dikur e cilësuar si një shkencë imagjinare, tashmë është një realitet ekonomik për punonjësit në mbarë botën. Por automatizimi i proceseve që bëhen nga njerëzit ka një kosto, thotë Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim.

"Përparimet e shpejta në teknologji po ndryshojnë peisazhin ekonomik. Ne vlerësojmë se dy të tretat e të gjitha vendeve të punës që aktualisht ekzistojnë në vendet në zhvillim do të eliminohen për shkak të automatizimit".

Kjo do të ndikojë tek miliona punonjës në vendet që tani ofrojnë fuqi punëtore me kosto të ulët për mallrat e konsumit si veshjet dhe telefonat inteligjentë. Por humbja e vendeve të punës mund të ketë pasoja më të gjera, përfshirë migrimin masiv të personave të papunë. Kjo pastaj mund të krijojë kushtet për mundësi dhe konflikt, thotë ekonomistja Diane Lim e organizatës Bordi i Konferencave.

"Disa vende do të përfitonin nga kjo situatë duke i pranuar këta njerëz për të plotësuar mungesat e tyre në tregun punës. Por, vende të tjera nuk do të pranojnë këta njerëz. Pra, kjo do të ketë një ndikim në ekonominë globale".

Banka Botërore thotë se kjo është një çështje urgjente duke patur parasysh konfliktet e shumta serioze në mbarë botën, përfshirë krizën më të rëndë të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Eonomistja Lim thotë se automatizimi do të çojë në ripërkufizimin e punës së njeriut.

"Automatizimi nuk do të zëvendësojë të gjitha llojet e vendeve të punës. Do të ketë kërkesa në rritje për të gjitha llojet e industrive që ofrojnë shërbime në vend të industrive që prodhojnë mallra. Pra, do të ketë nevojë për praninë e njeriut në shumë industri."

Banka Botërore thotë se nuk është e qartë se sa vende pune do të shkurtojë automatizimi. Por, zoti Kim thotë se koha për të vepruar është tani.

"Pra, për çdo vend në botë, ne duhet të mendojmë seriozisht se cilat janë investimet që duhet të bëjmë tani për t'u përgatitur për ekonominë e së ardhmes".

Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë imune ndaj këtyre ndryshimeve. Shumica e studimeve sugjerojnë se automatizimi, jo tregtia, ishte përgjegjës për pjesën më të madhe të vendeve të humbura të punës në sektorin e prodhimit mes viteve 2000 dhe 2010.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG