Lidhje

Reagime të përzjera për zgjedhjen e Obamës

  • Al Pessin

Qëndrimet kanë qenë të ndryshme në vende të ndryshme

Rizgjedhja e Presidentit Barak Obama u mirëprit në mbarë botën, ku popullariteti i tij ka qenë më i madh se sa në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama gëzoi një mbështetje rreth 75 për qind në anketimet e opinionit publik botëror dhe londinezët e mirëpritën rizgjedhjen e tij.

“ Mendoj se ky është një rezultat i mirë. Besoj se këtë donin njerëzit në mbarë botën, jashtë Amerikës. Unë mendoj se ai e ka në kontroll të plotë situatën dhe gjithshka do të shkojë mire në Shtetet e Bashkuara.”

“Ai është një zë shumë i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe se i kupton mirë hallet e popullit. Mendoj se synimet e tij janë të mira dhe ai do ta ndihmojë ekonominë dhe vendin të zhvillohet më tepër.”

Eksperti amerikan James Boys në Kolegjin King të Londrës nuk çuditet nga këto reagime.

“Nga perspektiva evropiane unë mendoj se do të ketë një ndjenjë të përgjithshme kënaqësie që ai është rizgjedhur dhe se ne duhet të vazhdojmë ta shohim atë dhe kabinetin e tij të angazhohet në skenën botërore si një mik i Evropës.”

Udhëheqësit botërorë e përgëzuan presidentin Obama. Gjatë një vizite në Jordani, kryeministri britanik David Cameron tha se duhet bërë më tepër për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

“Jam duke dëgjuar histori të tmerrshme për ato që ndodhin në Siri dhe një nga çështjet e para për të cilat dua të bisedoj me Barakun është se ne duhet të bëjmë më tepër për zgjidhjen e krizës.”

Presidenti rus Vladimir Putin, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ishin me udhëheqësve të tjerë që e mirëpritën rezultatin e zgjedhjeve. Zoti Netanjahu është mik prej kohësh me zotin Mit Romni, por ai tha se aleanca mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara është më e fortë se kurrë. Por, në rrugët e Jeruzalemit reagimet ishin të ndryshme.

“Mendoj se ai është i mirë për Izraelin sepse ai na mbështet neve. Ai vazhdon të na jap miliarda dollarë çdo vit dhe armë të sofistikuara”.

“Tragjedi. Është një tragjedi absolute. E kam ndjekur me kujdes punën e Obamës”.


Palestinezët kanë qëndrime të ndryshme.

“Tani ne shpresojmë që pas fitorës për herë të dytë, ai do të jetë më i efektshëm sepse do të ketë më pak presione politike mbi të”.

“Nuk mund të shoh ndryshime serioze. Ai tashmë ka bërë premtime të ndryshme, por si palestinez unë nuk shoh asnjë ndryshim”.


Në Kajro, një farmacist nuk është kënaqur me presidentin Obama.

“Ai bëri një fjalim të mirë në Universitetin e Kajros rreth politikës amerikane ndaj Lindjes së Mesme. Por asgjë nga ato që ka thënë nuk është zbatuar”.

Në Afganistan, njerëzit i thanë Zërit të Amerikës se ata janë të kënaqur me planin për tërheqjen e forcave të huaja dhe shpresojnë se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në procesin e ripajtimit me Talibanët.
Në Moskë, një burrë tha se politikat e presidentit janë të njohura ndërkohë që qëndrimet e zotit Romney do të ishin të paparashikueshme, më të ashpra dhe më të sfidueshme.
Në Pekin, një burrë i tha Zërit të Amerikës se ai është i shqetësuar në lidhje me disa nga politikat e presidentit Obama ndaj Tajvanit dhe mosmarrëveshjeve territoriale të Kinës me fqinjët e saj. Kurse një burrë në Najrobi është i gëzuar që presidenti Obama fitoi zgjedhjet.

“Babai i tij ishte nga Kenia, kështu që ne jemi të kënaqur. Gjatë gjithë mbrëmjes ne kemi ndjekur me kujdes zhvillimet në SHBA dhe jemi shumë të kënaqur”.

Analistët thonë se presidenti Obama mund të ketë qëndrime më të forta ndaj disa çështjeve të politikës së jashtmë në mandatin e tij të dytë katër vjeçar. Të huajtë që kanë ndjekur zgjedhjet amerikane shpresojnë që politikat e presidentit Obama në mandatin e tij të dytë do të jenë pozitive për ta.
XS
SM
MD
LG