Lidhje

Raporti vjetor i DASH për liritë fetare


Departamenti Amerikan i Shtetit tha të mërkurën se një numër i organizatave terroriste dhe grupeve të tjera jo-shtetërore kanë "trajtuar me ashpërsi dhe urrejtje" grupet fetare në mbarë Lindjen e Mesme, Afrikën nën-Sahariane dhe Azinë.

Në raportin e tij të 17-të vjetor mbi lirinë fetare në botë, Departamenti i Shtetit thotë se grupet fetare kanë qenë objekt i abuzimit dhe diskriminimit, "intolerancës dhe armiqësisë fetare, e cila në kombinim me pakënaqësitë politike, ekonomike, shpesh ka çuar në dhunë".

Shqipëria

Në pjesën për Shqipërinë raporti thotë se qeveria ka bërë pak përparim në kthimin e pronave të grupeve fetara të konfiskuara gjatë sundimit të regjimit komunist. Qindra pretendime nga grupet fetare për prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist mbeten të pazgjidhura. Në raport përmenden pretendimet e Ksishës Ortodokse për rreth 890 objekte dhe prona që ende nuk janë shqyrtuar nga qeveria, përfshirë më shumë se 50 prona të kishave që janë konvertuar në instalime ushtarake. Mosmarrëveshjet mbi pronën dhe vështirësitë e regjistrimit të pronës e kanë bërë të vështirë për disa grupe fetare që të marrin tokë të re për ndërtimin e objekteve të tyre fetare. Në raport përmenden njoftimet se vështirësitë e grupit fetar Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë për të blerë pronë për ndërtimin e objektit fetar kanë penguar aftësinë e tyre për të organizuar shërbesa fetare. Në raport gjithashtu thuhet se disa udhëheqës fetarë kanë vazhduar të sfidojnë rezultatet e censusit të vitit 2011, duke akuzuar qeverinë për mosnumërimin e shumë anëtarëve të grupeve të tyre fetare. Raporti përmend edhe disa zhvillime pozitive përfshirë një diskutim të organizuar nga Këshilli Ndër-fetar i Shqipërisë, në të cilin morën pjesë udhëheqës të myslimanëve suni, ortodoksëve, katolikëve, protestantëve dhe bektashinjve dhe pas takimit lëshuan një deklaratë ku dënoheshin aktivitetet terroriste të Shtetit Islamik. Raporti gjithashtu përmend pjesëmarrjen e udhëheqësve të pesë feve në meshën që drejtoi Papa Françesku në Tiranë gjatë vizitës së tij atje në shtator të vitit të kaluar.

Kosova

Në kapitullin për Kosovën, raporti i Departamentit të Shtetit për liritë fetare thotë se qeveria ka ndërmarrë disa masa për përmirësimin e tolerancës fetare mes shqiptarëve myslimanë dhe serbëve ortodoksë dhe ka dënuar vandalizimin e objekteve fetare të pakicave, por grupet fetare thonë se autoritetet komunale shpesh nuk i kanë trajtuar në mënyrë të barabartë grupet fetare, veçanërisht në lidhje me pjesët e ligjit mbi mbrojtjen e pronës fetare. Në raport përmendet refuzimi i kërkesës së një kishe evnagjeliste për leje të ndërtimit të një objekti fetar nga autoritetet e komunës së Prishtinës që kontrollohet nga Vetëvendosja, pavarësisht se i gjithë dokumentacioni ishte i rregullt dhe në përputhje me ligjin. Në përpjekje për të përmirësuar tolerancën ndër-fetare, qeveria e Kosovës organizoi konferencën e dytë ndër-fetare më 26 maj në Prizren, ku mblodhi udhëheqësit e pesë besimeve kryesore të vendit. Në këtë konferencë mori pjesë edhe presidenjta Atifete Jahjaga e cila shprehu mbështetjen e saj për tolerancën fetare në vend.

XS
SM
MD
LG