Lidhje

Rusia përballet me pengesa për anëtarësim në OBT


Rusia përballet me pengesa për anëtarësim në OBT
Rusia përballet me pengesa për anëtarësim në OBT

Russia është përpjekur të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë që nga viti 1993. Mirëpo para Moskës ka dy pengesa kryesore në procesin e anëtarësimit: krijimi i një bashkimi doganor dhe rezistenca e Gjeorgjisë ndaj anëtarësimit rus.

Në fillim të korrikut, Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani nënshkruan një marrëveshje për formimin e një sistemi të përbashkët doganash për këto tre vende. Synimi kryesor ishte të krijohej në të ardhmen një zone e tregtisë së lirë për rreth 170 milionë vetë.

Anders Aslund, i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se nuk është e qartë se çfarë konkretisht ranë dakord të realizonin këto tre vende. Ai nënvizon se ka pasur edhe më parë përpjekje për krijimin e një zone të tillë tregtie:

"Së pari, nëse ju kujtohet, ishte bashkimi i doganave ndërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë në janar 1994. Pastaj një marrëveshje e tillë edhe mes Kazakistanit dhe Rusisë në vitin 1995, më pas me Bjellorusinë, së cilës iu shtua Kirgistani dhe Taxhikistani. Kësaj zone iu dha emri EURASEC në vitin 2000, por më pas u duk sikur marrëveshjet u zhbënë".

Zoti Aslund thotë se këto marrëveshje u pasuan në shtator 2003 nga Hapësira e Përbashkët Ekonomike me pjesëmarrjen e Rusisë, Bjellorusisë, Kazakistanit dhe Ukrainës. Kjo zonë pushoi së funksionuari, shpjegon ai, si rezultat i Revolucionit Portokalli në Ukrainë.

"Ky bashkim i ri doganor me pak fjalë, bazohet në Hapësirën e Përbashkët Ekonomike që duhet të përfshinte edhe Ukrainën, por aktualisht nuk e përfshin. Ka një mori dokumentash që janë nënshkruar gjatë viteve dhe që faktikisht nuk kanë pasur ndonjë domethënie konkrete. Kjo është një dilemë e madhe burokratike, ku siç duket askush nuk do t’ia dijë për ligjet, prandaj nuk i zihet besë".

Robert Legvold i Universiteti Columbia është i një mendjeje:

"Nuk mendoj se nuk ka njeri që e konsideron këtë marrëveshje si një arritje që do të japë fryte së shpejti. Rusët dhe bjellorusët kanë vazhdimisht përplasje. Edhe sikur të kishte vullnet të mirë mes palëve, do të dilnin problem thelbësore. Për më tepër nuk ekziston as vullneti i mirë".

Disa analistë thonë se pjesëmarrja e Rusisë në marrëveshjet e bashkimit të doganave mund të dëmtojë shanset e saj për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, e cila mbikqyr rregullat e tregtisë ndërkombëtare.

Ekspertë të tjerë, si zoti Legvold apo zoti Aslund, nuk besojnë se marrëveshjet bëhen pengesë për anëtarësimin:

"Kur kam diskutuar me zyrtarë të lartë rusë kohët e fundit, më kanë thënë se askush në Moskë nuk e merr seriozisht marrëveshjen për bashkimin doganor. Zyrtarët rusë që kanë ardhur në Uashington e kanë theksuar se kjo s’do të përbëjë pengesë për antarësimin në OBT".

Analistët thonë se një pengesë edhe më e madhe se bashkimi doganor është kundërshtimi i fortë i qeverisë gjeorgjiane ndaj antarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Në bazë të rregullores së OBT-së, çdo anëtar i organizatës mund të bllokojë anëtarësimin e një vendi të ri, duke i vënë veton, pasi OBT-ja operon në bazë të konsensusit. Gjatë viteve, Tbilisi ka kërcënuar se do të përdorë veton kudër Moskës.

Gjeorgjia është revoltuar nga embargoja ekonomike që i ka vënë Rusia. Po ashtu autoritetet gjeorgjiane e kundërshtojnë me forcë mbështetjen që u jep Rusia dy rajoneve separatiste, Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.

Juristi dhe eksperti i çështjeve të tregtisë David Christy, i cili ka ndihmuar qeveri të ndryshme në përpjekjet për anëtarësim në OBT, analizon një tjetër burim fërkimesh ndërmjet Moskës dhe Tbilisit:

"Gjatë procesit të antarësimit të Rusisë, pati mosmarrëveshje lidhur me pikat kufitare në Abkazi dhe Osetinë e Jugut, gjë që e bëri Gjeorgjinë të ndalte procesin e grupit të punës për Rusinë. E vetmja mënyrë për të vazhduar procesin ishin takimet jo-zyrtare që zhvillonte grupi i punës, pas këtij hapi që ndërmori Gjeorgjia".

Procesi ka bërë deri tani përparim fare të vogël. Zoti Christy thotë se gjeorgjianët vazhdojnë të kundërshtojnë anëtarësimin e Rusisë në OBT:

"Nuk mendoj se zyrtarisht ata shprehen aq me forcë sa më parë kundër antarësimit rus, por gjithashtu nuk mendoj se e përkrahin. Ata kanë finalizuar një marrëveshje dypalëshe me Rusinë. Moska ka ndërkaq, 60 marrëveshje dypalëshe me anëtarë të ndryshëm të OBT-së. Marrëveshja dypalëshe me Gjeorgjinë është finalizuar vite më parë, por u zhbë në vitin 2006 nga palët nënshkruese dhe ende nuk është ri-aktivizuar. Eshtë një process që kërkon kohë".

Zoti Christy thotë se nëse Gjeorgjia është i vetmi vend që kundërshton anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, presioni politik ndaj Tbilisit gradualisht do ta detyronte Gjeorgjinë të ndryshonte qëndrim.

XS
SM
MD
LG