Lidhje

Ndahet nga jeta Arbër Xhaferi

  • Isak Ramadani

Arbër Xhaferi, ish-kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, u nda nga jeta sot pasdite në orën 3:50. Ai pësoi një hemorragji cerebrale më tetë gusht dhe u shtrua në klinikën neurokirurgjike të Shkupit. Mjeku kujdestar u ka thënë mjeteve të informimit se kishin bërë të gjitha përpjekjet për të shpëtuar jetën e zotit Xhaferi. Ai ishte 64 vjeç.

Arbër Xhaferi lindi në vitin 1948 në Tetovë, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Më pas ndoqi studimet për filozofi në Universitetin e Beogradit.



Zoti Xhaferi ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe, në fillim të viteve 90, u rikthye për të jetuar në Tetovë. Në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare. Ai e drejtoi këtë parti deri në vitin 2007.

Zoti Xhaferi ka qenë deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994. Ai synonte krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës.

Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet. Ai është një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Zoti Xhaferi njihej për opinionet filozofike gjatë paraqitjeve në media dhe është autor i shumë eseve dhe artikujve analitikë, pas tërheqjes nga politika aktive.

Prej kohe ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe vitet e fundit gjendja e tij ishte rënduar, por gjente fuqi për të këshilluar bashkëpunëtorët partiakë dhe për të paraqitur opinionet përmes shkrimeve në gazeta.

I pari që ka reaguar përmes një telegram ngushëllimi ishte Ali Ahmeti, kryetar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim. Ai i shkruan familjes Xhaferi dhe Partisë Demokratike Shqiptare se gjatë tërë këtyre viteve ka pasur situata jo të lehta me të cilat janë përballur drejtuesit politikë duke filluar që në ditët e luftës së popullit shqiptar për liri që rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ka pasur gjëra për të cilat jemi pajtuar por edhe shumë gjëra për ë cilat kemi pasur qëndrime të ndryshme, shkruan më tej zoti Ahmeti duke theksuar se gjithnjë i janë përmbajtur nivelit njerëzor të komunikimit të tyre personal dhe politik.

Duke u bazuar në këto vlera konsideroj se largimi nga kjo jetë e Arbër Xhaferit, është një humbje për politikën dhe mendimin intelektual shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë, vlerëson kryetari i BDI-së Ahmeti.

Nesër në shtëpinë e kulturës në Tetovë do të mbahet një mbledhje përujtimore, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 2 pasdite.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG