Lidhje

Një xhami për gratë


Xhamia e parë vetëm për gratë në Shtetet e Bashkuara u hap rishtazi në Los Anxhelos, të Kalifornisë, e cila duke qenë më e hapur ndaj besimtareve femra, synon fuqizimin e grave myslimane. Që nga momenti i hapjes rreth dy muaj më parë, Xhamia e Grave të Amerikës ka ngjallur debat lidhur me rolin e gruas në fenë islame.

Një herë në muaj, gratë myslimane mblidhen brenda kësaj godine për një eksperiencë të pashoqe në Shtetet e Bashkuara.

“Erdha këtu rreth dy muaj më parë, dhe frymëzoi shumë të gjendesha e rrethuar nga gra të të gjitha etnive dhe racave,” thotë një besimtare.

Në dallim nga xhamitë tradicionale, ku burrat dhe gratë qëndrojnë veçmas dhe ku burrat udhëheqin faljen e së premtes, Xhamia e Grave është për gratë dhe udhëhiqet nga një grua. Edina Lekovic bëri faljen e ditës së hapjes së xhamisë.

“Kur mora përsipër këtë rol, përjetova së bashku me të gjitha gratë në audiencë se ndodheshim këtu për të njëjtin qëllim; se dëshironim të rilidheshim me besimin tonë, të hidhnim një hap të ri dhe të provonim diçka ndryshe.”

Diçka e ndryshme pasi disa gra myslimane thonë se janë ndjerë gjithnjë të lëna mënjanë në xhamitë tradicionale.

“Në xhaminë ku jam rritur gjithnjë na çonin në një dhomë prapa. Nuk na lejohej të qëndronim në të njëjtën hapësirë ku bëhej falja. Ajo çfarë na jep forcë këtu, është se tashmë as nuk më duhet të mendoj për aspektet patriarkale me të cilat duhet të përballesh zakonisht kur shkon në një xhami,” thotë një besimtare.

Xhamia e Grave nuk ka një kod veshjeje. Gratë falen në një ndërtesë për shumë besime të tjera, ku madje mbahen edhe aktivitete hebree apo të krishtera. Themeluesja Hasna Maznavi thotë se kjo ishte arsyeja pse zgjodhi këtë vend për xhaminë.

“Ajo çka mua frymëzon vërtet janë kohërat e arta të Islamit. Ajo ka qenë një periudhë kur myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët punonin të gjithë së bashku.”

Por, jo të gjithë mendojnë se një xhami për gratë është e nevojshme.

Studiues të Islamit thonë se vërtet është e pranueshme që një grua të udhëheqë gra të tjera gjatë faljes, por ata vënë në dyshim nëse kjo mund të përfshijë edhe faljen e shkurtër të së premtes dhe namazin. Diskutimi për rolin e grave në Islam nuk është diçka e re, thotë Brie Loskota e Universitetit të Kalifornisë Jugore.

“Xhamia e Grave në vetvete nuk është një zhvillim i izoluar. Ka patur shumë kritika për rolin e kufizuar të grave në institucionet myslimane për dekada të tëra, dhe kjo tashmë është shndërruar në temë kryesorë me gjeneratën e re X, me gratë myslimane të mijëvjeçarit të ri.”

Loskota thotë se Xhamia e Grave është një përgjigje ndaj këtyre kritikave, dhe me karakteristika unike amerikane.

“Ka një fokus të madh drejt dialogut ndër-fetar, pluralizmit dhe se si mund të ekzistosh në një kontekst pluralist. Ka një fokusim të madh drejt diversitetit.”

Dhe për këto gra, fokusi është tek aspekti shpirtëror.

XS
SM
MD
LG