Lidhje

Dita e Drejtësisë; tradita dhe sfida


Dita e Drejtësisë njihet dita kur qeveria e Ismail Qemalit miratoi Ligjin e Jurisë, mbi ngritjen e gjykatave qysh nga themelimi i shtetit.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë festoi sot Ditën Kombëtare të Drejtësisë në 100 vjetorin e themelimit të saj prej drejtuesit të parë të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.
Në këtë përvjetor Gjykata e Lartë ka edhe një kryetar të ri, zotin Xhezair Zaganjori, të sapodekretuar nga Presidenti i Republikës.

Si rrallë ndonjëherë, zoti Zaganjori mbajti sot në 100 vjetorin e themelimit të Gjykatës që ai drejton një ceremoni të posaçme, ku foli për historinë e drejtësisë shqiptare dhe sfidat aktuale të saj, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Shoqatës së Avokatëve të SHBA-ve, Roger Sherar, njëkohësisht anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Avokatëve.



“Ju po përgatiteni për diçka shumë të veçantë, që po afrohet në jetën e Shqipërisë - tha zoti Sherar. - Bëni më të mirën tuaj gjatë kësaj pune përgatitore. Ata studentë të juridikut shqiptar, që takova 20 vjet më parë tani drejtojnë sistemin gjyqësor në Tiraë dhe qytete të tjera. Koha ka nevojë për ju, është brezi juaj që duhet të përgatitet sa më profesionalisht” - tha ai.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Zaganjori, kujtoi nga historia se gjykatat e para të shtetit shqiptar ishin ndërtuar me juri qytetare, njëlloj si funksionojnë sot e gjithë ditën në sistemin anglo-sakson, ku për të shmangur korrupsionin vendimin gjyqësor e merrnin juritë e qytetarëve në një seancë gjyqësore të pandërprerë brenda ditës, pa e zgjatur për ditë të tëra si ndodh sot.

Zoti Zaganjori u bëri thirrje studentëve të drejtësisë, të pranishëm në këtë festë, që të ndjekin traditën më të mirë të drejtësisë shqiptare dhe të frymëzohen nga modelet e saj më të shquara, duke lënë mënjanë tundimet e çastit. Sipas tij, sistemi gjyqësor është themeli i çdo shteti ndaj edhe çdo gjyqtar profesionist duhet të vendosë interesat kombëtare përpara nevojave personale.

Dita Kombëtare e Drejtësisë është dita e parë kur qeveria e Ismail Qemalit miratoi Ligjin e Jurisë, mbi të cilin do të funksionin gjykatat shqiptare qysh nga themelimi i shtetit shqiptar. Gjatë 100 vjetëve populli dhe shteti shqiptar kaloi shumë ngjarje të rënda por veprat që ngritën burrat themelues të shtetit shqiptar nuk u harruan asnjëherë.
XS
SM
MD
LG