Lidhje

Xhezair Zaganjori, kandidat i shumicës për president

  • Armand Mero

Xhezair Zaganjori

Xhezair Zaganjori

Burime nga partia socialista janë shprehur paraprakisht se kjo kandidaturë do të refuzohet

Në Shqipëri shumica e djathtë vendosi mbrëmë të propozojë si kandidat të sajin për presidentin e ri të vendit anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori. Emri i tij, i konfirmuar nga burime brenda koalicionit qeverisës, u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po ashtu të Drejtësisë apo dhe nga fusha e diplomacisë. Sot para nisjes së seancës për votimin e parë, pritet që të ketë edhe një takim mes kryetarit të grupit parlamentar demokrat dhe atij të partisë socialiste për te diskutuar rreth kandidaturës së zotit Zaganjori. Burime nga partia socialista janë shprehur paraprakisht se kjo kandidaturë do të refuzohet duke qenë se sipas tyre nuk ka ardhur si produkt i një procesi bisedimesh

Tre raunde bisedimesh mes demokratëve në pushtet dhe aletarëve të tyre dhe mbledhjet e organizuara nga forcat e koalicionit qeverisë me strukturat e tyre drejtuese, u përmbyllën mbrëmë vonë me propozimin e një emri për kandidat për kreun e shtetit. Mes shumë figurave të sistemit të Drejtësisë dhe diplomacisë, demokratët dhe tre aleatët e tyre kanë rënë dakort për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Xhezaiur Zaganjori. Me këtë emër demokratët do të kërkojnë të hyjnë nesër në votimin e parë të parashikuar për presidentin e ardhshëm. Megjithatë duket se fati i procesit do të varet nga takimi që pritet të realizohet më herët, mes kryetarit të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi dhe atij socialist Gramoz Ruci në përpjekje për të marrë edhe pëlqimin e opozitës. Duket se shumica do të zgjedhë të presë rezultatin e këtyre bisedimeve për të vendosur hapat e mëtejshëm, nëse do ta zyrtarizojë kandidaturën e zoti Zaganjori ose jo. Burime pranës partisë socialiste kanë paralajmëruar një refuzim të mundshëm ndaj kandidaturës së parë të shumicës, duke shpjeguar se nuk ka patur një proces të mirëfilltë bisedimesh që opozita të japë konsensusin e saj. Në një rast të tillë refuzimi, shumica ka dy zgjidhje që cojnë në të njejtin rezultat. Ose të zyrtarizojë kandidaturën e për pasojë emri i zotit Zaganjori të hidhet në votimin ku kërkohen 84 nga 140 vota të parlamentit, pra dhe konsensusi i opozitës, ose mos ta përfshijë fare atë në garë. Sërish raundi do të quhet i realizuar. Dje kryeministri Sali Berisha nuk e konsideroi aspak problematike mundësinë që raundi i parë të digjej pa kandidat në mungesë të konsensusit të opozitës.

Demokratët, të paktën në këtë fazë janë paraqitur me një qëndrim të ndryshuar, duke u tërhequr, nga ideja e një kandidature nga radhët e drejtuesve të lartë të saj e duke kërkuar një figurë që të marrë mbështetje të gjerë. Megjithatë marrëdhëniet me opozitën në këtë proces kanë ngecur. Kryeministri ka refuzuar një takim me kryetarin socialist duke ja deleguar bisedimet kryetarëve të grupeve parlamentare. Socialistët, të cilët që në fillim ishin shprehur për një kandidaturë mbi palët e lidhën më pas procesin e zgjedhjes së presidentit edhe me zgjidhjen e cështjes së reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe me heqjen e imuniteteve si për deputetët dhe për zyrtarët e lartë, të konsideruara si të rëndësishme nga Brukseli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Një veprim që u quajt si ultimatum dhe kurth nga ana e demokratëve. Dje kryetari socialist bëri një hap pas, duke u shprehur se nuk bëhet fjalë për kushte dhe se nuk bëhej fjalë për zgjidhjen e menjëhershme të të katër cështjeve. Raundi i parë i bisedimeve mes palëve të dielën e shkuar u cilësua një dështim. Sot pritet të shihet se si do të eci takimi mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare, dhe rrjedha që do të marrë procesi nëse kandidatura e zotit Zaganjori do të refuzohet nga socialistët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG