Lidhje

Xhin Sharp, strategu i rezistecës paqësore

  • Zëri Amerikës

Xhin Sharp, strategu i rezistecës paqësore

Xhin Sharp, strategu i rezistecës paqësore

Kryengritjet popullore në Lindjen e Mesme, të cilat filluan në fund të vitit të kaluar, vazhdojnë në disa vende të rajonit. Megjithëse rezultati i protestave ka qenë i ndryshëm nga vendi në vend, protestuesit kanë përdorur pak a shumë të njëjtat taktika. Ajo që shumë pak njerëz e dinë është se baza filozofike për këto taktika e ka zanafillën tek profesori 93-vjeçar në pension nga Boston i shtetit Masaçusets.

Që nga fillimi i protestave të para në dhjetor, diktatorët autoritarë në Tunizi dhe Egjipt janë detyruar të largohen nga pushteti. Vende të tjera janë detyruar të zbatojnë reforma politike. Madje edhe ato qeveri që u kanë rezistuar kryengritjeve, është dashur të mbrojnë veprimet e tyre.

Në të gjithë rajonin dhe gjatë të gjithë periudhës së quajtur “Pranvera Arabe”, rrjetet mediatike kanë njoftuar se organizuesit e protestave kanë ndjekur parimet e shkruara nga ky njeri, profesori në pension Xhin Sharp, në në libër të titulluar “Nga Diktatura në Demokraci”.

“Libri u shkrua në vitin 1993, por është bazuar në dy dekada kërkimesh dhe hartimesh.”

Profesor Sharp e shkroi librin fillimisht me kërkesë të disidentëve politikë në Birmani. Që nga publikimi i tij origjinal, libri është publikuar në 34 gjuhë të huaja.

“Ai u përkthye në Arabisht dhe ishte në faqen e internetit të Vëllazërisë Myslimane, gjë që mund të habisë shumë njerëz.”

Zoti Sharp jeton dhe punon në një lagje të Bostonit që nuk ka shumë ngjashmëri me sheshin Tahrir të Kairos. Megjithatë, teoritë e tij lidhen ngushtë me ngjarjet që u zhvilluan në Egjipt.

“Ata dukeshin se ishin planifikuar mirë. Dhe për ca kohë, ata arritën t’u komunikonin njerëzve rëndësinë që të mos kishin frikë.”

Ideali i zotit Sharp për rezistencë paqësore është huazuar nga Gandi, Henri Dejvid Torou dhe Albert Ajnshtajn, të gjithë mbrojtës të rezistencës jo të dhunshme. Ajnshtajni, në fakt shkroi parathënien e librit të parë të zotit Sharp, dhe ky i fundit e quan organizatën jofitimprurëse që mbështet punën e tij “Insitucioni Albert Ajnshtajn”.

Në qendër të punës së zotit Sharp është parimi i betejës jo të dhunshme. Metodat e tij njihen për prakticitetin dhe efikasitetin e tyre.

“Po përpiqem të shqyrtoj se si është zbatuar beteja pa dhunë. Nganjëherë ajo dështon për ca kohë dhe nganjëherë ka sukses. Por si mund ta zhvillosh një betejë të tillë më mirë duke përdorur mendjen për të planifikuar?”

Taktikat e zotit Sharp për betejë jo të dhunshme kanë pasur ndikim në mbarë botën. Idetë e tij janë përdorur edhe në vende të tjera – në revolucionet e Evropës Lindore gjatë fillimit të viteve 2000. Koloneli ushtarak në pension Robert Helvi i përdori taktikat e zotit Sharp për stërvitjen e aktivistëve në Birmani dhe Serbi.

“Xhin Sharp ka 40 vjet që po i mbjell këto ide, dhe tani ato po lulëzojnë dhe njerëzit po i përvetësojnë si pjesë e sistemit të tyre të besimit, sikur ato të kishin ekzistuar gjithmonë.”

Profesor Sharp vazhdon të shkruajë për organizatën që themeloi në vitin 1983. Ai sapo përfundoi librin e tij të fundit, Fjalori i Sharp për Pushtetin dhe Luftën. Ai do të publikohet në vjeshtën e këtij viti.

XS
SM
MD
LG