Lidhje

Yatseniuk: Rusia synon të fillojë një Luftë të Tretë Botërore


Kryeministri ukrainas Arseny Yatseniuk akuzoi sot Rusinë se synon të fillojë një Luftë të Tretë Botërore duke pushtuar Ukrainën "ushtarakisht dhe politikisht". Zoti Yatseniuk i bëri komentet në një mbledhje të kabinetit.

"Agresioni ushtarak i Rusisë në territorin e Ukrainës do të çojë në një konflikt ushtarak në Evropë. Bota nuk e ka harruar ende Luftën e Dytë Botërore, por Rusia dëshiron të fillojë tani Luftën e Tretë Botërore," tha zoti Yatseniuk.

Ai akuzoi Moskën se po vepron si një "gangster" duke mbështetur "terroristët". Këto janë komentet më të ashpra të bëra deri tani nga zoti Yatseniuk në luftën e fjalëve me Rusinë, ndërkohë që dy vendet kanë dislokuar trupa në afërsi të kufirit të tyre të përbashkët. Kryeministri i Ukrainës tha se planet e Rusisë nuk do të kenë sukses.

Po sot, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi Kievin se do të përballet me drejtësinë për atë që ai e quajti një "krim të përgjakshëm" në Ukrainën lindore, ku forcat ukrainase vranë një ditë më parë deri në pesë rebelë prorusë.

Ai akuzoi gjithashtu Uashingtonin për shtrembërimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për Ukrainën duke i bërë Moskës kërkesa shtesë.

Ndërkohë, Presidenti Barak Obama kritikoi "ndërhyrjen e mëtejshme" të Rusisë, siç e quajti ai, në Ukrainën lindore, ku separatistët e armatosur prorusë kanë pushtuar ndërtesat qeveritare.

Duke komentuar në Seul, zoti Obama tha se do të bisedonte në telefon me udhëheqësit kryesorë evropianë për sanksione më të gjera kundër Rusisë në rast se ajo e shkallëzon situatën.

Ai tha se Presidenti rus Vladimir Putin duhet të vendosë nëse dëshiron dobësimin e mëtejshëm të ekonomisë tashmë të brishtë të vendit të tij.

Komentet e zotit Obama u bëjnë jehonë atyre të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili tha dje se Moska po bën "një gabim të shtrenjtë", duke mos u vënë fre separatistëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG