Lidhje

Yellen: Rritje e fortë e ekonomisë amerikane në 2014


Janet Yellen, e cila do të marrë drejtimin e Bankës Qendrore amerikane muajin e ardhshëm, thotë se parashikon rritje më të fortë të ekonomisë amerikane këtë vit.

Zonja Yellen i bëri komentet në një intervistë për revistën Time. Ajo tha se zyrtarët që përcaktojnë politikat e Rezervës Federale ushqejnë shpresën se ekonomia amerikane do të përjetojë një rritje prej 3 për qind ose më shumë në 2014.

Ekonomia amerikane u rrit 2.6 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2013, por 4.1 për qind nga periudha korrik-shtator. Megjithëse ekonomistët thonë se ritmet ekonomike nuk ishin aq të forta në tre-mujorin e fundit të vitit, Banka Qendrore thotë se ekonomia vazhdoi rritjen me ritme të moderuara në javët e fundit të vitit të kaluar.

67-vjeçarja Yellen do të jetë e para grua që drejton Rezervën Federale në ekzistencën një shekullore të këtij institucioni, duke pasuar Ben Bernanken kur të mbarojë mandati i tij në fund të janarit. Si shefe e Bankës Botërore në ekonominë më të madhe të botës, pikëpamjet e saj mund të luajnë një rol të rëndësishëm në qarqet ekonomike globale.

Në intervistën për revistën Time, Zonja Yellen tha se rimëkëmbja e ekonomisë amerikane nga recesioni i thellë i viteve 2008-2009 “ka qenë mjaft i ngadaltë”. Por ajo tha se Shtetet e Bashkuara po shënojnë përparim në rikthimin e njerëzve në punë dhe Banka Qendrore parashikon që inflacioni t’i afrohet synimit të Bankës prej 2 për qind.

Pikëpamjet e zonjës Yellen për përparimin e ekonomisë amerikane gëzojnë mbështetje edhe në figura të tjera, si James Glassman, krye-ekonomist i bankës më të madhe në vend JPMorgan Chase. Ai tha për Zërin e Amerikës se parashikon një lehtësim të problemeve ekonomike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

"Pikëpamja mbizotëruese është se kriza evropiane po përfundon. Evropa mund të mos jetë duke përjetuar rritje shumë të shpejtë, por ka dallim të dukshëm nga një vit më parë. Problemet e tregut të shtëpive duket se janë kapërcyer në Shtetet e Bashkuara. Sektori financiar që kishte ngecur gjatë viteve të fundit duket se po stabilizohet. Pra ka shumë arsye për të besuar se 2014 do të jetë një vit me rritje më të lartë e më të shpejtë”.

Zonja Yellen ka mbështetur programin qeveritar për të blerë miliarda dollarë letra me vlerë në mënyrë që të injektoheshin para në ekonominë amerikane. Këto blerje po reduktohen me përmirësimin e ekonomisë amerikane. Zonja Yellen vuri në dukje se kritikët e programit thonë se “po ndihmon vetëm të pasurit” por ajo nënvizoi se blerja e letrave me vlerë ka ndihmuar në mbajtjen e normave të interest në nivele të ulta dhe ka nxitur shpenzimet e konsumatorit.
XS
SM
MD
LG