Lidhje

Yellen për kryetare e Bankës Qendrore

  • Jim Randle

Presidenti Barack Obama emëroi Janet Yellen për të kryesuar Bankën Qendrore amerikane. Nëse merr konfirmimin e Senatit, ajo do të bëhet e para grua që kryeson Rezervën Federale të ekonomisë më të madhe të botës. Zonja Yellen është aktualisht numri dy i Bankës Qendrore dhe shumë ekonomistë thonë se ka gjasa që ajo të vazhdojë përpjekjet e këtij institucioni për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ulur papunësinë duke mbajtur të ulëta normat e interest.

Zoti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë në kulmin e krizës më të rëndë në disa dekada dhe anketat tregojnë se ekonomia mbetet një ndër temat më shqetësuese për votuesit amerikanë.

Papunësia është përmirësuar por me ritme të ngadalta, duke e vënë para një sfide të vështirë zonjën Yellen, ish-pedagoge në Universitetin e Berkleyt dhe zyrtare me karrierë të gjatë në Bankën Qendrore. Zoti Obama tha se ka besim tek ajo.

Zonja Yellen thotë se e kupton gjendjen e vështirë të miliona të papunëve në vend.

"Megjithëse kemi bërë përparim, kemi më shumë rrugë përpara. Mandati i Rezervës Federale është t’i shërbejë popullit amerikan. Një numër shumë i madh amerikanësh ende nuk mund të gjejnë punë dhe shqetësohen si do të përballojnë faturat dhe nevojat e familjes”.

Zonja Yellen do të zëvendësonte Ben Bernanke, të cilit i mbaron në janar mandati i dytë në krye të Bankës Qendrore. Presidenti Obama vlerësoi udhëheqjen e zotit Bernanke, aftësitë e tij, kurajon në përdorimin e taktikave të paprovuara më parë për t’iu përgjigjur problemeve ekonomike.

Ekonomisti Joseph Gagnon pranë Institutit Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, i cili punonte më parë për Bankën Qendrore, thotë se zonja Yellen pritet të vazhdojë politikat e zotit Bernanke.

“Mendoj se Janet Yellen është mjaft pranë Ben Bernanket për sa u përket pikëpamjeve për ekonominë”.

Zonja Yellen pritet të përfaqësojë vazhdimësi në Bankën Qendrore kur është fjala tek politikat, por ajo gjithashtu do të jetë e para grua në këtë post. Marcy Syms, ish-shefe ekzekutive e Korporatës SYMS, thotë se zonja Yellen do të ndihmojë për të frymëzuar një brez të tërë vajzash.

"Ky është një moment i madh për të ardhmen e grave që futen në shkencë e matematikë, gjë që i nevojitet shumë vendit”.

Disa analistë thonë se zonja Yellen ka të ngjarë të marrë konfirmimin e Senatit me votat e Partisë Demokrate dhe disa republikanëve të moderuar.
XS
SM
MD
LG