Lidhje

100 mijë të zhvendosur nga luftimet në Jemen


UNICEF-i tërheq vëmendjen tek pasojat e lufitmeve për popullsinë civile dhe posaçërisht për fëmijët.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara UNICEF, thotë se rreth 100 mijë njerëz janë zhvendosur për shkak të konfliktit në Jemen, ndërsa fëmijët po vriten, gjymtohen dhe janë të rrezikuar nga sëmundjet.

Në një deklaratë të UNICEF-it thuhet se njeërzit gjithandej Jemenit kanë braktisur shtëpitë në kërkim të një strehe të sigurt, duke shtuar trysninë mbi spitalet dhe shërbimet tjera.

Në deklaratë thuhet se zhvendosjet e tilla të brendshme po rrezikojnë shëndetin e fëmijëve dhe po ndërpresin procesin e shkollimit të tyre. UNICEF-i ka bërë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre në pajtim me ligjet ndërkombëtare humanitare.

Të hënën Jemeni jugor u përfshi nga lufitmet e ashpra ndërmjet kryengritësve shit huthi dhe forcave besnike ndaj presidentit të vendit, ndërsa Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ndeshi me vonesa në dërgimin e ndihmave tepër të nevojshme.

Kryengritësit huthi u përpoqën të forcojnë pozicionet e tyre në qytetin-port të Adenit. Dëshmitarët thonë se anije luftarake të huaja qëlluan me predha brenda dhe në rrethinat e qytetit. Po ashtu sulmet ajrore nën drejtimin e sauditëve goditën një bazë ajrore në veri të qytetit, duke i detyruar luftëtarët huthi të largohen nga rajoni.

Avionët e koalicionit, po ashtu kryen sulme ajrore në kryeqytetin Sana'a, duke goditur pika kontrolli të sigurisë dhe një tjetër kompleks ushtarak që përdoret nga kryengritësit.

XS
SM
MD
LG