Lidhje

Yjet më të paguar të vitit të kaluar


Madonna është në majën e listës së vitit 2013 të revistës Forbes, për renditjen e personaliteteve të artitit më të paguar në botë, me rreth 125 milion dollarë vitin e kaluar. Gjithsej, 14 njerëzit e famshëm në 10 vendet e para, kanë fituar së bashku më shumë se 1 miliardë dollarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Alex Villarreal ka përgatitur kronikën rreth biznesit të argëtimit.

Patjetër që Madonna ka arsye për të buzëqeshur. Me 125 milionë dollarë më tepër në emrin e saj nga qershori i vitit të shkuar deri në qershor të këtij viti, ajo është e para në listën e revistës Forbes për njerëzit e famshëm më të paguar të vitit 2013.

Turneu botëror i fundit i interpretueses së sprovuar ishte ai që i siguroi shumicën e të ardhurave. John Simson, drejtori i programit të Biznesit dhe Argëtimit në Universitetin Amerikan, thotë se nuk çshtë për t’u çuditur, për shkak të çmimit të biletave të koncertit.

"Më shumë të ardhura fitohen nëpër turne, për shkak të biletave të shtrenjta, sepse njerëzit janë të gatshëm të shpenzojnë 200 dollarë të shkojnë në një koncert, ndërsa 20 vite më parë, ata shpenzonin vetëm 20 dollarë.”

Në vendin e dytë është regjizori Steven Spielberg, të ardhurat e të cilit janë 100 milion dollarë – shumica e të cilëve vijnë nga filmat e tij të suksesshëm si E.T. dhe Jurassic Park. Zoti Simson thotë se nuk është rastësi që shumë nga më të paguarit janë nga Shtetet e Bashkuara ose jetojnë këtu.

"Shtetet e Bashkuara thjesht kanë patur gjithmonë një aftësi të veçantë për të krijuar gjëra që pjesa tjetër e botës konsumon. Nëse shkon në shumicën e vendeve në botë, të paktën 30 deri në 50 përqind të muzikës që dëgjon është krijuar këtu në Shtetet e Bashkuara. Dhe e njëjta gjë është edhe me filmat.”

Në vendin e tretë të listës me 95 milion dollarë të ardhura secili, janë tre manjatë të medias, Simon Cowell, Howard Stern dhe autorja britanike E.L. James, libri i suksesshëm i së cilës, Fifty Shades of Grey, i siguroi një kontratë për t’u bërë film.
Më poshtë në listë, në vendin e 9, është fituesja e listës para një viti, Oprah Winfrey, me 77 milion dollarë.

Ylli i muzikës pop Lady Gaga arriti në vendin e shtatë, duke e ndarë atë me producentin e filmit Pirates of the Caribbean, Jerry Bruckheimer. Të dy fituan 80 milion dollarë këtë vit që kaloi. Zoti Simson thotë se ka gjasa që konsumatorët të vazhdojnë të shpenzojnë.

“Ne na pëlqejnë historitë. Na pëlqen t’ua tregojmë njëri-tjetrit, kështu që, kur ndeshemi me tregimtarë të zotë, qofshin kompozitorë, autorë, ose producentë filmash, ne magjepsemi me ta.”

Kjo lloj magjepseje, patjetër që vlen edhe për yjet e sportit. Kampioni i golfit Tiger Woods ishte sportisti i vetëm në 10 të parët e kësaj liste, duke zënë vendin e tetë, të cilin e ndan me producentin Tyler Perry.
XS
SM
MD
LG