Lidhje

Ylli kinez i basketbollit amerikan largohet nga kampionati profesionit


Ylli kinez i basketbollit amerikan largohet nga kampionati profesionit
Ylli kinez i basketbollit amerikan largohet nga kampionati profesionit

Ylli i basketbollit amerikan, kinezi Yao Ming bëri të njohur vendimin e tij për të dalë në pension nga Liga Profesioniste e Basketbollit, pas një sërë dëmtimesh, që ia bëjnë atij të pamundur të luajë me skuadrën Rockets të Hjustonit. Yao Ming tha se megjithatë, ai nuk po e braktis basketbollin por do të vazhdojë në drejtim të ish ekipit të tij kinez, Peshkaqënët e Shangait, si dhe me grupin e bamirësisë “Fondacionin Yao”.

Gjatësia 2 metra e 30 centimetra, i jepte Yao Mingut një avantazh të qartë në fushë. Kjo e ndihmoi atë të ngjitet në karrierën e tij sportive, nga kampionati kinez i basketbollit, tek Kampionati Profesionist Amerikan. Por gjatë karrierës, ai dëmtoi gjunjtë dhe kyçet, gjë që e detyroi të largohet nga basketbolli profesionist.

Për 8 vjet ai luajti me ekipin Rokets të Hjustonit. Lëndimet e detyruan atë të humbiste një numër lojërash në karrierën e tij. Gjatë sezonit përfundimtar, ai luajti vetëm në 5 ndeshje, ngaqë një frakturë në këmbën e tij të majtë e la jashtë lojës për të tretën here.

Në një konferencë shtypi lamtumire në Shangai, që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin kombëtar kinez, Yao Ming tha se 6 muajt e fundit e ka patur tepër të vështirë, ngaqë i duhej të merrte vendimin për të dalë në pension.

“Ndonëse po largohem nga fusha, nuk do të heq dorë asnjëherë nga basketbolli. Ekipi i Shangait do të jetë vazhdimi i karrierës sime në basketboll. Do të vë në dispozicion të këtij klubi gjithë përvojën që kam fituar në vite.”

Megjithë dëmtimet, Yao Ming realizonte mesatarisht 19 pikë për ndeshje, duke e çuar skuadrën Rockets 4 herë në finale. 8 herë ai ishte pjesëtar i ekipit të yjeve të basketbollit amerikan.

Yao thotë se do të ketë kurdoherë një lidhje të veçantë shpirtërore me ish-ekipin e tij amerikan.

“9 vjet më parë, kur erdha në Huston, isha një lojtar i ri, i gjatë dhe i dobët. Qyteti dhe ekipi më shndërruan në burrë, dhe jo vetëm në lojtar basketbolli. Ky qytet më dha edhe vajzën time të parë. Ndjehem se jam nga Hustoni dhe do të jem kurdoherë me ju. Faleminderit.”

Brook Larmer, autor i librit “Operacioni Yao Ming”, tha në një intrevistë përmes Skypit se Yao jo vetëm që shërbeu si një urë lidhëse për sportin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, por edhe për biznesin dhe diplomacinë mes të dy vendeve.

“Duhet të kujtojmë se sa e pazakontë ishte kjo në kohën kur Yao Ming filloi të luajë me një ekip amerikan. Ai lindi pikërisht kur Kina po fillonte zgjerimin e saj ekonomik në vitin 1980. Rritja e tij është një paralelizëm me rritjen e Kinës në botë dhe sigurisht, që nga fillimi, ai është parë më tepër se sa një lojtar basketbolli.”

Suksesi jo vetëm që e bëri Yaon një yll botëror, por ndihmoi në shtimin e numrit të tifozëve në Kinë dhe në vende të tjera aziatike.

“Fillova të luaj basketboll për shkak të Yao Mingut. E pashë të luante për baskebollin profesionit amerikan dhe kjo më shtyu të mësoja basketbollin. Arritjet e tij në basketboll tërhoqën përherë e më tepër tifozë të rinj dhe të moshuar në Kinë.“

Ylli tjetër i basketbollit amerikan Kobe Bryant thotë se Yao Ming u bë frymëzim për të gjithë basketbollistët kinezë.

“Ai i hapi dyert e basketbollit amerikan edhe për lojtarët e tjerë kinezë, duke treguar se është e mundur të arrihet ëndërra për t’u bërë lojtar i kampionatit profesionit amerikan dhe kjo është meritë e Yaos.”

Megjithë interesin e jashtëzakonshëm për basketbollin në Kinë, autori Brook Larmer thotë se zor që një tjetër lojtar kinez do të përsërisë suksesin e Yao Mingut, pa ndryshuar më parë sistemin e ngurtë të basketbollit kinez.

XS
SM
MD
LG