Lidhje

Ylli televiziv Oprah Uinfri tërhiqet nga karriera këtë muaj

  • Chris Simmkins

Ylli televiziv Oprah Uinfri tërhiqet nga karriera këtë muaj

Opra Uinfri, një nga personalitetet më të fuqishme dhe më të pasura në Shtetet e Bashkuara, po i jep fund karrierës së saj si drejtuesja më e ndjekur në Amerikë pas 25 vjetëve në një nga emisionet më të spikatura në vend. Episodi i fundit i programit Oprah Winfrey Show do të transmetohet sonte në mbrëmje. Programi i Opras, i pari emision i natyrës së programeve komunikuese në nivel kombëtar i drejtuar nga një afrikano-amerikan, filloi të transmetohej në shtator 1986. Që nga ajo kohë, Opra ka ndërtuar një perandori mediatike – dhe një markë të veten – që përfshin edhe rrjetin televiziv kabllor që nisi punën në fillim të këtij viti.

Ishte një mënyrë e merituar për të shënuar daljen në pension për Opra Uinfrit. Atë e duartrokitën 13 mijë fansa në Çikago dhe i kënduan një grup artistësh të mirënjohur, ndërsa Oprah Uinfri po i jepte fund punës 25-vjeçare si drejtuese e një emisioni televiziv.

Opra transformoi televizionin amerikan me emisionin e saj popullor që filloi në vitin 1986. Programi u vlerësua më lart se cilido emision apo talk show në historinë televizive, duke arritur 42 milion shikues çdo javë në më shumë se 150 vende. Vitin e kaluar, Opra tha se ishte koha për të ecur përpara.

“Këto vite me ju, shikues të dashur, kanë pasuruar jetën time tej çdo parashikimi”.

Ndërsa adhuruesit po ndiqnin emisionet e saj të fundit, ata shprehën mendimet e tyre rreth asaj që e bëri Opran aq të rëndësishme.

“Dashamirësia që ajo i dha të gjithëve. Mundësia që ajo i dha të gjithëve. Dashuria që ndau me të gjithë ne”.

“Ajo është thjesht një person real, një person i vërtetë”.

“Ajo na ka dhënë shpresë dhe ka qenë me të vërtetë pozitive në jetën e kaq shumë njerëzve, përfshirë edhe veten time”.

Oprah ishte në gjendje të komunikonte me shikuesit e saj, duke folur për disa nga çështje personale – përjetimin e abuzimit seksual në rini, varfërinë dhe, më vonë, problemet me peshën e saj. Ajo gjithashtu u mor me tema të debatueshme si abuzimi i fëmijëve, Sida dhe racizmi.

“Edhe nëse nuk e ke ndjekur emisionin e saj, e ke ditur se për çfarë po flitej. Kjo ka qenë pjesë e bisedave në mbarë vendin”, tha kritiku i medias, Ron Sajmon.

Autorja Kiti Kelli thotë se rrugëtimi i Opras nga një e kaluar si qytetare e rëndomtë drejt një karriere si yll televiziv është tejet mbresëlënës.

“Ajo është gruaja më e famshme në botë. Në fakt, revista Good Housekeeping botoi një sondazh që tregon se ajo është gruaja më e adhuruar në planet”.

Jeta e saj e hershme nuk ishte përcaktuese e suksesit. Ajo u rrit në varfëri në Misisipi, në kohën e dallimit racor, por arriti të kapërcejë pengesa të shumta. Ajo interpretoi në disa filma, por emisioni i saj televiziv i dha famën që gëzon sot.

Ajo u bë gruaja e parë afrikano-amerikane që u radhit nga Revista Forbes në listën e miliarderëve. Dhe ajo ndihmoi shumë shkrimtarë të ndërtojnë karrierën e tyre nëpërmjet klubit të saj të librit.

Përgjatë viteve, ajo përgatiti shfaqjen “Color Purple” në Broduej dhe krijoi një perandori të medias, përfshirë edhe revistën e saj.

Opra u bë e njohur për bujarinë e saj. Ajo u ka dhënë makina dhe dhurata të tjera pjesëtarëve të audiencës.

Në vitin 2007, ajo dhuroi 40 milion dollarë për të ndërtuar një shkollë për vajza të varfra në Afrikën e Jugut. Ajo ka mbledhur fonde për hapjen e 60 shkollave në mbi 13 vende.

“Unë jam këtu për shkak të bindjeve të mia personale për Barak Obamën dhe për atë që e di se ai mund të bëjë për Amerikën”.
Në përpjekjen e parë në politikë, ajo përdori fuqinë e saj si yll televiziv për të mbështetur Barak Obamën në një moment kyç në fushatën e tij për president.

Me përfundimin e emisionit të saj televiziv, Opra thotë se po përqendrohet në rrjetin e saj kabllor, i cili filloi në janar. Ajo shpreson që rrjeti të tërheqë shikuesit e shumtë që ajo ka tërhequr gjatë viteve.

XS
SM
MD
LG