Lidhje

Sfidat e të rinjve në Shqipëri


Të mërkurën, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, organizata World Vision publikoi të dhënat e një ankete me të rinjtë shqiptarë. Anketa nxori edhe një herë në pah dëshpërimin e përhapur gjerësisht në radhët e rinisë për shkak të papunësisë së lartë. Mbi 60 për qind e të anketuarve pohojnë se papunësia është problemi kryesor i tyre, dhe kjo i shtyn drejt alkoolit dhe emigrimit. Ndonëse një nga shtetet më të varfër të Europës, Shqipëria është një prej vendeve me popullsinë më të re në kontinent.

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë organizata World Vision publikoi përfundimet e një sondazhi, sipas të cilit, papunësia është problemi kryesor për mbi 60 për qind të të rinjve shqiptarë.

Anketa e zhvilluar në 7 qytetet më të mëdha të vendit zbuloi një mori hallesh nga dëshmië e etë të rinjve. Në vend të parë është papunësa e lartë, më pas mungesa e qendrave rinore dhe problemi i tretë përdorimi i alkoolit dhe drogave.

“Ata u pyetën rreth problemeve që i shqetësojnë ata më shumë. Papunësia u rëndit si problemi i parë më shqetësues me 62 %. Më pas, mungesa e qendrave dhe hapësirave për të rinj u vlerësua me 54 %. Përdorimi i alkoolit dhe drogave doli të ishte gjithashtu një prej shqetësimeve të tyre, duke u renditur si problematika e tretë me 41%” - tha Bardha Qokaj, përfaqësuese e organizatës World Vision.

Krahas papunësisë, mungesës së argëtimit, si dhe përdorimit të lëndëve narkotike, shumë të rinj renditën midis shqetësimeve të tyre mungesën e vizionit për jetën, mospërshtatjen e sistemit arsimor me tregun e punës, mungesën e informacionit rreth këtij tregut të punës, si dhe paragjykimin dhe diskriminimin ndërmjet të rinjve. Po ashtu mospjesëmarrja në proceset dhe vendimmarrjet demokratike dhe çështjet mjedisore u rënditën nga të anketuarit si shumë shqetësuese.

“Gjetjet e këtij anketimi do t’i shërbejnë World Vision për të informuar programin aktual të të rinjve në mënyrë që të mund të ndërtojmë ndërhyrje që adresojnë problemet shqetësuese për rininë në Shqipëri. Rezultatet do të ndahen me ministrinë e mirëqenies sociale e aktorë të tjerë kombëtar dhe vendorë për t’i sjellë një informacion të përditësuar në hartimin e politikave për të rinjtë” - tha zonja Qokaj.

Ekspertët e World Vision pohojnë se ky dëshpërim i rinisë shqiptare sjell edhe emigrimin e tyre nga vendi dhe sjelljet e dhunshme ndaj vetes dhe të tjerëve. Kjo situatë, sipas tyre, duhet trajtuar me më shumë kujdes dhe përkushtim, sidomos për faktin që Shqipëria është vendi i dytë në Europë me popullsinë më të re. Një në dy banorë në Shqipëri është i ri dhe mbi 45 për qind e popullatës është nën moshën 30 vjeç.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG