Lidhje

Zaev dorëzon firmat e deputetëve për të marrë mandatin për qeverisje


Kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev ia dorëzoi të hënën presidentit Gjorgje Ivanov 67 nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për shqiptarët, si garanci e krijimit të shumicës parlamentare për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Zaev kërkon mandatin për formimin e qeverisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:55 0:00

Zoti Zaev e quajti ditën e sotme si historike për vendin, ndonëse presidenti ende nuk e ka mandatuar:

Këto nënshkrime, tha ai, mundësojnë kapërcimin e krizës dhe që vendi të lëvizë përpara”. Ai pret nga presidenti Ivanov që ta mandatojë brenda një kohe sa më të shpejtë, në mënyrë që të mund të fillohen bisedimet për formimin e qeverisë. Zoti Zaev është i bindur se do të ketë një transferim të qetë dhe të shpejtë të pushtetit.

Kabineti i presidentit maqedonas la të kuptohej se ai do ta bëjë publik këtyre ditëve vendimin për mandatin për formimin e qeverisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, megjithatë pritet të sjellë një vendim nëse do të bëhet pjesë e qeverisë apo do të mbetet në opozitë.

Ndërkohë, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nuk po pajtohet me ngeljen në opozitë. VMRO-ja bën thirrje për pengimin e ndarjes së vendit, siç e quan ajo mundësinë e qeverisjes së LSDM me partitë shqiptare. Z. Gruevski në një intervistë për televizionin proqeveritar Sitel u shpreh se dygjësia do të çojë drejt shtetit dy-kombësh, kantonizimit ose federalizimit, ndërsa synimi kryesor, sipas tij, i zotit Zaev është ndryshimi i emrit të Maqedonisë:

Personalisht i ofroj zotit Zaev, nëse partitë shqiptare e sjellin në pushtet, dhe nëse heq dorë nga zbatimi i asaj axhende, VMRO-DPMNE-ja me 51 deputetë do t’i japë mbështetje të jetë një qeveri e pakicës për një periudhë për çka do të merremi vesh”, tha Nikolla Gruevski. Ai tha më tej se partia e tij do ta mbështesë Zaevin për të gjitha ligjet që dëshiron t’i zbatojë përveç atyre që kanë të bëjnë me “ridefinimin e shtetit”. “Le të më burgos mua por ta lërë të qetë Maqedoninë”, e porositi ai rivalin e tij Zaev.

Kjo lloj oferte, nga një pjesë e analistëve u cilësua si patetike apo si përpjekje për të mbrojtur veten nga akuzat që e rëndojnë për veprimtari të paligjshme.

Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate iu përgjigj se vendi do të drejtohet nga një qeveri e qytetarëve, se ndryshimet po ndodhin, se Maqedonia e lirë do të hapërojë përpara dhe se këtë askush nuk do të mund ta pengojë.

Edhe komuniteti ndërkombëtar së fundmi ka reaguar duke kërkuar respektimin e rregullave demokratike nga ana e drejtuesve politikë të Maqedonisë.

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka kërkuar që presidenti maqedonas t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit nga partitë të cilat kanë siguruar shumicën e nevojshme në parlament.

“Pranimi dhe respektimi i rezultateve zgjedhore dhe e drejta e politikëanëve për të tentuar formimin e qeverisë është shenjë e demokracisë së shëndoshë”, shkruan zoti Hahn, i cili nënvizon se pengesat dhe nënçmimet e këtyre përpjekjeve nuk kanë vend në një proces demokratik. Ai më tej thekson se opozita dhe pushteti kanë detyra dhe përgjegjësi të njejta për funksionimin e një demokracie.

Edhe Sekretari i përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg po ashtu ka kërkuar që shumicës së krijuar në parlament t’i jepet mandati për formimin e qeverisë. Ai kërkon nga të gjitha palët që të marrin vendime për të mirën e qytetarëve, ndërkohë që nënvizon përkushtimin e Aleancës për anëtarësimin e Maqedonisë në organizatë.

XS
SM
MD
LG