Lidhje

Polemika rreth intervistës së ish zyrtarit të policisë


Ish shefi i kontrabandës në Fier Dritan Zagani akuza për lidhje të drejtuesve të policisë me trafikantët. Autori i intervistës, gazetari Basir Collaku: Qeveria ndërhyri për ndërprerjen e publikimit

Në Shqipëri ka provokuar polemika të forta intervista e ish shefit të Antidrogës së Fierit Dritan Zagani. Përvec akuzave të tij për lidhje të drejtuesve të policisë me trafikantë të drogës, intervista coi në debate të reja, pasi publikimi i saj, u ndërpre papritur, ndërsa gazetari Basir Collaku, i cili kishte realizuar bisdën me ish zyrtarin e policisë Zagani, u shpreh se shkak ishte bërë “ndërhyrja e qeverisë”, deklaroi në faqen e tij në Facebook gazetari Collaku. Intervista megjithatë u ripublikua më pas e plotë nga disa portale informative online.

Zagani i cili është shpallur në kërkim pasi ndodhej në arrest shtëpie për shpërdorim detyre dhe kalim informacionesh një pjestari të Guardia di Finanza-s italiane, flet gjatë intervsitës për disa raste në të cilat policia sipas tij ose nuk kishte vepruar ose i kishte dekonspiruar operacionet duke i kaluar të dhënat, trafikantëve që duheshin goditur, shprehet ish shefi i antidrogës së Fierit. Zagani tregon dhe për një grup kriminal që sipas tij ka kryer kalime të sasive të mëdha të drogës nga brigjet shqiptare drejt Italisë e që sipas tij kishte mbrojtje në nivele të larta, apo dhe përpjekjet e dështuara, për goditjen e një tjetër grupi, po për shkak të dekonspirimit të veprimeve të policisë, sipas Zaganit.

Ish shefi i antidrogës flet për ekzistencën e grupeve kriminale “të paprekshme” për shkak se sipas tij gëzojnë mbështje të autoriteteve, për të dhëna për ekzistencën e laboratorëve të heroinës në Fier, apo dhe mbi avionë të vegjël që dyshohet të kenë kryer transport të lëndëve narkotike drejt Italisë.

Zagani hedh dyshime edhe ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për shkak të tre vëllezërve me aktivitet kriminal në Vlorë, që sipas ish zyrtarit të policisë, kishin në përdorim një gomone jo të madhe e cila sic thotë ai ishte në pronësi prej kohësh të ministrit, apo ishin parë prej tij duke përdorur dhe autoveturën private të zotit Tahiri.

Ditën kur u publikua pjesa e parë e intervsitës, opozita reagoi duke i cilësuar tronditëse dëshmitë e ish shefit të antidrogës dhe kërkoi shpjegime nga autoritet e ministrsë dhe policisë. Sipas deputetit demokrat Flamur Noka heshtja e autoriteteve tregonte përfshirjen e tyre të drejtëpërdrejtë.

Por më vonë ministria e brendshme reagoi ndaj deklaratave të opozitës, por pa komentuar akuzat e ish oficerit të policisë. Në deklaratën e ministrisë shprehej “keqardhje që partia kryesore e opozitës të shndërrohet në një zëdhënëse të një ish-zyrtari të shpallur në kërkim, i cili po gjykohet për dekonspirim të aksioneve të Policisë së Shtetit gjatë kohës që ishte në detyrë”.

Bllokimi i transmetimit të pjesëve të tjera të intervistës, coi në një reagim të ri të opozitës. “Partia Demokratike e dënon këtë ndërhyrje kriminale të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, kundër medias dhe gazetarëve në vend. Kërcënimi dhe mbyllja e gojës së medias nga qeveria, nga kryeministri dhe ministri i brendshëm është një atentat ndaj demokracisë, ndaj krejt shoqërisë tonë. Kjo është një ditë e zezë për median dhe lirinë e fjalës. Këto janë pasojat e inkriminimit, e ortakërisë së qeverisë me krimin. Për interesat e bandave të drogës, dhe protektorit të këtyre bandave, Saimir Tahiri, Edi Rama kërcënon median, ushtron presion ndaj medias, i mbyll gojën medias”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Kryeministri Edi Rama reagoi nga ana e tij përmes një postimi në faqen e tij në Facebook. “Partisë demokratike i ka mbetur të shpallë pishtar të demokracisë përdhosësin e uniformës blu që kërkohet nga policia për bashkëpunim në trafik droge”, shkruan zoti Rama , por pa komentuar akuzat për ndërhyrje pikërisht të qeverisë për ndërprerjen e transmetimit të intervsitës s ëish zyrtarit të policisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG