Lidhje

Zavahiri, pasues i mundshëm i Osama Bin Ladenit


Zavahiri, pasues i mundshëm i Osama Bin Ladenit
Zavahiri, pasues i mundshëm i Osama Bin Ladenit

Numri dy pas bin Ladenit, Ajman al-Zavahiri, ka të ngjarë të jetë kreu i ardhshëm i al-Kaidës. Por analistët thonë se kushdo që do të kryesojë këtë grup terrorist do të vihet përballë presionit të madh për të vazhduar rolin e bin Ladenit. Vrasja e Bin Ladenit ka ngjallur spekullime se kush do të marrë kontrollin e al-Kaidës. Shpesh përmendet islamisti nga Egjipti, Ajman al-Zavahiri, një zëdhënës i shpeshtë i grupit, i cili ka theksuar marrëdhëniet e tij të ngushta me bin Ladenin.

"Osama bin Laden më ka kërkuar të theksoj këtë, prandaj këshilloj çdo muxhahedin që të zbatojë rregullat e Shariatit".

Zavahiri ka qënë gjithashtu zëri i disa prej retorikave më zjarrvënëse të grupit kundër Shteteve të Bashkuara. Ndoshta me më shumë rëndësi është fakti se ai konsiderohet si truri i rrjetit terrorist, duke organizuar hollësitë e sulmeve më famkeqe të al Kaidës. Ashtu si bin Ladeni, Zavahiri hoqi dorë nga një jetë e privilegjuar për të nxitur përmes dhunës idealet radikale islamike. Por Assem Abdel Maged, gjithashtu islamist, që kaloi një farë kohe në burg me Zavahirin në fillim të viteve 1980-të, mban mënd një xhentëlmen bujar, që recitonte poezi.

"Megjithë sjelljen e mirë dhe urtësinë e tij, ai është radikal. Dr. al-Zavahiri mund të fitohet vetëm me miqësi dhe duke e trajtuar mirë. Atë nuk mund ta kundërshtosh ose ta detyrosh të ndryshojë pikpamjet e tij".

Megjithatë ndryshimet u janë imponuar si Zavahirit edhe al Kaidës, jo vetëm gjatë ditëve të fundit, por gjatë viteve të fundit. Pjesërisht kjo mund t’i atribuohet faktit se udhëheqësit e grupit qëndrojnë gjithnjë të fshehur, si për shembull, vend-ndodhja e Zavahrit nuk dihet. Por vetë al-Kaida është shpërndarë edhe më shumë, ndërkohë që grupet e lidhura me të shpesh kanë eklipsuar grupin kryesor.

Për shembull, Anvar al-Avlaki, kreu i al-Kaidës në Gadishullin Arabik është shfaqur si një element i fuqishëm, që me karizmën e tij bie në kontrast të madh me imazhin e sertë që paraqet Zavahiri. Por disa njerëz vënë në pikpyetje nëse al Kaida ka nevojë për një udhëheqës, duke thënë se bin Ladeni do të mbetet një figurë e fuqishme, simbolike, për një kohë të gjatë pas vdekjes.

"Al Kaida tani nuk është një piramidë, por një ide që ekziston në hapësirë dhe që ushqehet nga veprimet dhe qëndrimet e Amerikës".

Dhe operacioni amerikan për vrasjen e bin Ladenit ka të ngjarë t’u japë përkrahësve të tij kudo në botë më shumë arsye që të mbajnë gjallë kauzën e bin Ladenit, pavarësisht se kush e zë vendin e tij.

XS
SM
MD
LG