Lidhje

Zbulime të reja rreth kujtesës

  • Greg Flakus

Një studim i ri ofron njohuri rreth procesit të krijimit, ruajtjes dhe rigjetjes së kujtimeve

Shumë hulumtime rreth trurit të njeriut janë përqendruar tek procesi i krijimit të kujtimeve, tek ruajtja dhe rigjetja e tyre. Tani, një studim i shkencëtarëve të Universitetit të Kalifornisë - Davis dhe të Qendrës së Shkencave Shëndetësore në Universitetin e Teksasit në Hjuston ofron njohuri të reja rreth këtij procesi. Studiuesit zbuluan se zona të veçanta të trurit koordinohen midis tyre, për të formuar kujtime që përfshijnë kohën dhe hapësirën.

Në spitalin Memorial Hermann të Qendrës Mjekësore të Universitetit të Teksasit në Houston, neurokirurgu Nitin Tandon viziton pacientin 26-vjeçar me epilepsi, Tyler.

Dr. Tandon ka vendosur elektroda platini mbi sipërfaqen e trurit të Tylerit, për të monitoruar sinjalet elektrike kur Tyleri pëson një krizë.

"Para se të mund të kuptojmë se si do të krijojmë proteza për të zëvendësuar disa funksione të trurit që kemi humbur, ne duhet të krijojmë modele të tyre dhe t’i kuptojmë ato në një nivel kompjuterik."

Meqënëse studime të tilla ndihmojnë për të njohur më mirë epilepsinë, Tyler vendosi të marrë pjesë.

"Mendoj se sa më shumë njohuri të ketë për këtë, aq më mirë do të jetë për njerëzit e tjerë."

Pacientë si Tyleri kanë kontribuar edhe në një studim mbi mënyrën se si truri formon kujtimet e ngjarjeve në kohë dhe hapësirë.

"Ka qenë një mister se si truri komunikon me të dyja zonat: të vendit dhe të kohës."

Dr. Tandon u kërkoi pacientëve, të cilëve u kishte vendosur elektroda, të studionin materiale që përfshinin hapësirën dhe kohën për të parë se si do ta trajtonte truri informacionin.

"Mënyra se si truri e bën këtë, pra komunikimin me këto dy zona të ndryshme në të njëjtën kohë, është duke përdorur dy frekuenca të ndryshme që vijnë nga e njëjta pjesë e trurit, nga truri i vogël."

Truri i vogël është një strukturë në anën e poshtme të trurit që kujdeset për formimin e kujtimeve, të cilat ruhen më pas në zona të veçanta të trurit.

"Është pak a shumë si të ishte një radiostacion që transmeton për dy grupe të ndryshme dëgjuesish në të njëjtën kohë dhe e bën këtë duke përdorur dy frekuenca të ndryshme."

Në Universitetin e Kalifornisë - Davis neurologu Arne Ekstrom analizoi të dhënat prej skanimeve të trurit, duke aplikuar teknika të teorisë grafike të përdorura për studimin e qarkullimit të informacionit.

Së bashku me zotin Tandon dhe kolegë të tjerë, ai shpreson që t'i vazhdojë këto hulumtime në të ardhmen.

Meqënëse humbja e kujtesës është një nga problemet që lidhen me epilepsinë, Dr. Tandon thotë se ky studim është premtues edhe për epileptikët.

"Po punojmë që të jemi në gjendje të arrijmë të riparojmë mosfunksionim e kujtesës shumë më mirë se deri tani me anë të elektrodave që vendosim tek pacientët me epilepsi, dhe shpresojmë që në të ardhmen të mund të riparojmë plotësisht dinamikën normale të rrjetit."

Dr. Tandon shpreson që përparime të tilla një ditë të ndihmojnë pacientë epileptikë si Tyleri që të kenë një jetë më normale.
XS
SM
MD
LG