Lidhje

Zbulohen antitrupa që parandalojnë sidën

  • Zëri Amerikës

Shkencëtarë të qeverisë amerikane kanë bërë të njohura sot përparime që mund të çojnë në përgatitjen e një vaksine kundër sidës.

Hulumtuesit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit thonë se kanë zbuluar dy antitrupa të fuqishëm që pengojnë infektimin e njerëzve nga shumica e llojeve të virusit HIV, i cili shkakton sidën.

Antitrupat u zbuluan në qelizat e marra nga një person i paidentifikuar, organizmi i të cilit i prodhoi ato në mënyrë të natyrshme. Tani mbetet të sigurohet një vaksinë ose ndonjë metodë tjetër që u mundëson organizmave të tjerë të prodhojnë këta antitrupa.

Sipas hulumtimeve, antitrupat e zbuluar pamundësojnë 90 përqind të llojeve të virusit HIV të ngjiten në qelizat e sistemit imunitar dhe t’i shkatërrojnë ato. Sistemi imunitar është arma kryesore që organizmi përdor kundër infektimeve dhe mikroorganizmave të dëmshëm.

Zyrtarët thonë se do të kalojnë tri deri në pesë vjet para se të përgatitet një vaksinë në bazë të këtij zbulimi dhe që më pas ajo të provohet në njerëz.

XS
SM
MD
LG