Lidhje

Migrimi i zebrave


Në Botswana, çdo vit zebrat fillojnë një mërgim prej 580 kilometrash në kërkim të ushqimit. Edhe pse është një ngjarje e përvitshme, studjuesit kanë vetëm një ide të përgjithshme se kur fillon migrimi dhe nuk e dinë me saktësi se çfarë rruge ndjekin kafshët, si dhe shkakun e kësaj. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua njofton:

Diku në shtator, zebrat fillojnë shtegtimin e tyre nga Delta Okavango e Botswanës, për në Salt Pans të Makgadikgadit. Pieter Beck, i qendrës kërkimore Woods Hole, është mes studjuesve që u morën me shtegtimin e zebrave.

“Ashtu sikurse për kafshët e mëdha barngrënëse, migrimi i zebrave ka qenë i rrezikuar. Kështu, ruajtja e kafshëve ekzistuese dhe gjetja e mënyrave ku njerëzit dhe kafshët të mund të jetojnë bashkarisht është tepër e rëndësishme.”

Një mister i madh ishte se si e zgjedhin zebrat rrugën e migrimit të tyre. Kjo nuk ndodh ngaqë brezat ja kalojnë njëri tjetrit eksperiencën e tyre. Studjuesit e dinin se mes viteve 1968 dhe 2004, gardhet veterinare të ndërtuara nëpër rrugët e mundshme të migrimit, ishin ngritur për të parandaluar buajt e egër t’u transmetonin sëmundje bagëtive. Brenda 3 viteve të prishjes së gardheve, filloi edhe migrimi i zebrave. Duhet pasur parasysh fakti që gardhet u ngritën për 36 vjet rresht dhe se zebrat zakonisht nuk jetojnë më tepër se 12 vjet në natyrë.

“Gardhet qëndruan për më shumë vite se sa jeton një zebër. Pra, zebrat që ne doqëm gjatë migrimit të tyre prej qindra miljesh nuk mund ta kenë mësuar këtë nga paraardhësit e tyre. Kështuqë mendohet se ato zbuluan shtigje të reja gjatë migrimit të tyre. Kjo është një histori megjepsëse dhe një lajm i mirë për ruajtjen e zebrave, një diçka e rrallë.”

Prandaj, studjuesit ju drejtuan për ndihmë Agjencisë Amerikane të hapësirës, NASA, dhe i hodhën një vështrim nga afër disa pamjeve dhe të dhënave satelitore.

“Instrumentet e NASA-s me të cilat ne punuan, janë vendosur në orbitën e Tokës dhe ato na japin një pamje të rreshjeve dhe prodhimit bimor global. Pra, këto janë dy matësit që ne shqyrtuam.”

Ajo që zbuluan studjuesi Beck dhe kolegët e tij, ishte se kur ka rreshje të mjaftueshme, bimësia merr zhvillim të madh.

“Pamë se pikërisht sasia e rreshjeve dhe prodhimi i bimëve përcakton migrimin e kafshëve barngrënëse, madje edhe kohën se kur ndodh shtegtimi”.

Zebrat ndjekin pikërisht bimësinë e gjelbër. Por studjuesi Beck thotë se ato ia përshtasin lëvizjet e tyre mjedisit dhe nuk shkojnë qorrazi në një drejtim të caktuar. Lëvizjet e zebrave përcaktohen pikërisht nga rënia e shirave. Prandaj, studjuesit donin të mësonin në se përshtatja me mjedisin do t’i ndihmonte ato dhe ndoshta edhe kafshët e tjera shtegtuese t’u përshtateshin ndryshimeve klimatike.

“Në kërkimet tona ne vlerësuam shanset kur këto sisteme moti që kemi aktualisht dyfishohen dhe në se kafshët do të adoptohen si duhet.”

Këto lloj njohurish mund të ndihmojnë në mbrojtjen e kafshëve të egra. Studjuesi Beck thotë po ashtu se njohuritë për shtigjet e migrimit të kafshëve mund t’i ndihmojnë rojet e rezervateve me kafshë të egra t’i mbrojnë ato nga gjuetarët. Ai, së bashku me kolegët e tij i paraqitën rezultatet e studimit në revistën e studimeve gjeofizike “Biogeosciences”.
XS
SM
MD
LG