Lidhje

Zgjedhjet, shqetësim për fazën e numërimit

  • Armand Mero

Sipas një diplomati perëndimor sistemi në Shqipëri është difektoz. Ambasadat të angazhuara në monitorim, krahas rreth 300 vëzhguesve të ODIHR-it

Në Shqipëri nga 400 vëzhgues të kërkuar nga ODIHR-i për të ndjekur zgjedhjet e së dielës, kanë mbërritur vetem rreth 300 të tillë, ndërsa misionit të monitorimit ditën e dielë do t’i bashkangjiten edhe stafet e ambasadave të vendeve të ndryshme përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një diplomat perëndimor i tha zërit të Amerikës se ata janë të përgatitur të ndjekin nga afër procesin, nisur dhe nga eksperienca e zgjedhjeve të kaluara. Shqetësimi kryesor duket se lidhet më tepër me fazën e numërimit, ndërkohë që rastet e trysnisë për votën, apo përdorimi i burimeve publike shihen si jo pak problematike.



Që prej ditës së djeshme misionit afatgjatë të ODIHR-it i janë bashkangjitur edhe afër 260 vëzhgues afatshkurtër të cilët do të qëndrojnë për afër një javë në Shqipëri. Një numër jo i vogël nëse merret në konsideratë fakti se ata paguhen nga vendet prej të cilave vijnë dhe për shkak të krizës ekonomike cdo shpenzim shihet me kujdes. Diferencën e mbetur nga 400 vëzhguesit e kërkuar fillimisht nga ODIHR-i, do të përpiqen ta mbushin ambasadat e vendeve të ndryshme, përfshirë edhe atë amerikane e cila ka regjistruar edhe numrin më të lartë të vëzhguesve, 68 të tillë.

Një diplomat perëndimor në Tiranë i tha Zërit të Amerikës se ata do ta ndjekin nga afër procesin. Ai u shpreh se ndjehen të inkurajuar nga fakti se fushata ka qenë relativisht e qetë, por shtoi se “duke pasur parasysh historinë me zgjedhjet e kaluara ata janë të ndërgjegjshëm për atë se cfarë mund të ndodhë. Ne jemi duke vëzhguar”, tha diplomati sipas të cilit faza më delikate shihet ajo e numërimit.

“Numërimi përbën një problem, një problem të pazakontë tipik shqiptar. Procesi i numërimit, dukshëm është në mëshirë të të dy palëve, dhe kjo është arsyeja pse një nga shprehjet që po bën më shumë përshtypje, në një farë mënyre negative, është “të mbrohet vota”. Kjo – nënvizon diplomati – është në një farë mënyre e pakuptimtë. Cdo votë sigurisht duhet mbrojtur, por në Shqipëri – tha ai - ndeshesh me nje evolucion të vecantë të asaj cfarë kuptohet me integritet, dhe ky është ekuilibri politik”. Diplomati perëndimor thotë se e gjithë kjo situatë i kujton një film të Quentin Tarantinos në të cilin një grup personash në një dhomë përfundojnë duke i drejtuar njëri-tjetrit pistoletat. “Duket se në Shqipëri sistemi është rregulluar në këtë mënyrë. Ky fenomeni i ekuilibrit politik eshte i gabuar konceptualisht. Dhe është i papërshtatshëm”, thotë ai duke nënvizuar se “një mangësi e vërtetë institucionale e demokracisë shqiptare është pamundësia e saj deri tani për të patur institucione që funksionojnë efektivisht dhe të pavarura për të mirën e qytetarëve. Këtu kemi ata analogjine e tipit të Tarantinos, dhe kjo është më mirë se asgjë fare, por nuk është një mekanizëm institucional i përshtatshëm për një vend që mëton të jetë pjesë e Bashkimit Europian, një vendi që i ka drejtuar syte nga Perendimi. Fjalët i merr era – thekson diplomati - Duhet një përpjekje e ndërgjegjësuar drejt krijimit të standarteve institucionale që t’i rezistojnë trysnisë, që t’i bëjnë balle trysnive partiake. Askush nuk duhet të pretendojë se sistemi shqiptar siguron një votë të lirë dhe të ndershme. Eshtë një sistem thellësisht difektoz”, deklaroi diplomati perëndimor, duke shtuar se “më i rëndësishëm se fituesi, ka rëndësi që fitorja të jetë e qartë”.

Shqetësim sipas tij përbëjnë edhe rastet e trysnive për të orientuar votën, apo përdorimi i burimeve shtetërore a publike për fushatë, përfshirja e shkollave. “Janë të gjitha gjëra që kanë ndodhur, ndonëse nuk është e qartë se në cfarë përmase. Por edhe sikur gjysma e atyre që kemi dëgjuar të jetë e vërtetë, kjo dëshmon për një fushatë të shtrirë për të detyruar njerëzit të votojnë në një mënyrë apo një tjetër, dhe kjo është natyrisht shqetësuese”.

Përvec përfaqësuesve të trupit diplomatik zgjedhjet do të vëzhgohen edhe nga misione të Këshillit të Europës dhe asamblesë parlamentare të OSBE-së, apo dhe organizata ndërkombëtare,ndërkohë që afër 8 mijë do të jenë vëzhguesit vendas.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG