Lidhje

Koalicioni i Vëzhguesve: Reforma zgjedhore u zvarrit


Koalicioni i bëri thirrje kryetarëve të dy partive kryesore që të mbyllin reformën brenda këtij sesioni parlamentar.

Ndërsa forcat politike nuk e mbyllën reformën zgjedhore në afatet e parashikuara dhe po përpiqen të japin kohë shtesë për komisionin e reformës, organizatat joqeveritare po i shohin me shqetësim këto vonesa. Koalicioni i vëzhguesve vendorë deklaroi se zvarritja e mëtejshme e procesit të reformës zgjedhore vë në pikëpyetje të ardhmen europiane të vendit.

Kjo organizatë e mirënjohur tashmë në vëzhgimin e proceseve zgjedhore, pasi dha edhe propozimet e veta për reformën, iu kërkoi partive politike dhe Komisionit që në këtë proces të shkonte përtej interesave të ngushta partiake. Drejtuesja e shoqatës për kulturë demokratike, Gerta Metaj, një nga pjesëtaret e koalicionit, thotë se “reforma zgjedhore ka nevojë për zgjidhje gjithëpërfshirëse, për të shmangur zgjedhjet problematike dhe keqmenaxhimin e tyre nga partitë politike”.

Zonja Metaj tha se “koalicioni i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që të mbyllin reformën zgjedhore dhe ta miratojnë brenda këtij sesioni parlamentar, në mënyrë që t’i jepet sa më shumë kohë në dispozicion institucioneve për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë deklaroi se zvarritja e mëtejshme e reformës do të prodhojë sërish një proces të minutave të fundit, i cili nuk do të sjellë standarte të larta zgjedhore, të kërkuara nga NATO dhe BE. Zonja Metaj thotë se “koalicioni është i shqetësuar për dështimin e këtij procesi dhe për mungesën e thellë të besimit dhe bashkëpunimit që ende mbizotëron midis dy forcave kryesore të politikës”.

Sipas organizatës së vëzhguesve vendorë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste evidentuan sërish një papërgjeshmëri të plotë në këtë proces, gjatë të cilit demonstruan vullnet bashkëpunimi thjesht si një detyrim ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, dhe aspak si një mundësi për t’i dhënë fund ngërçit politik, si një detyrim madhor ndaj interesave të qytetarëve që ata përfaqësojnë dhe fateve europiane të vendit.
XS
SM
MD
LG