Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi


Në Mal të Zi sot po votohet në zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të mbajnë në pushtet koalicionin qeverisës të kryesuar nga Milo Gjukanoviç. Sondazhet parazgjedhore kanë parashikuar se koalicioni i zotit Gjukanoviç, që opozita e akuzon për korrupsion, do të fitojë, me më shumë se 40 për qind të votave.

Malazezët po votojnë për zgjedhjet parlamentare që pritet gjerësisht të mbajnë në pushtet qeverinë më jetëgjatë në Ballkan, ndërkohë që vendi kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ndeshet me një rënie ekonomike.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz votuan sot, duke zgjedhur midis koalicionit qeverisës të kryesuar nga udhëheqësi i fuqishëm i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, dhe grupeve opozitare që shpresojnë ta largojnë atë, pas më shumë se dy dekadave në pushtet.

Sondazhet parazgjedhore kanë parashikuar se koalicioni i zotit Gjukanoviç do të fitojë me më shumë se 40 për qind të votave, ndërsa grupi më i madh opozitar, Fronti Demokratik, pritet të marrë rreth 20 për qind të tyre.

"Sinqerisht, nuk pres asgjë të mirë. Problemet mbeten po të njëjtat. Faji nuk është vetëm i qeverisë, por edhe i njerëzve," thotë një votues në Podgoricë.

Zoti Gjukanoviç dhe koalicioni i tij kanë udhëhequr Malin e Zi që nga fundi i viteve 1980. Milo Gjukanoviç ka shërbyer si kryeministër dhe si president i vendit, duke udhëhequr Malin e Zi drejt shkëputjes nga Serbia në vitin 2006, si dhe gjatë hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Mendoj se Mali i Zi do të vazhdojë në rrugën e tij evropiane. Së shpejti, unë besoj se populli ynë do të ketë standarde sociale si ato të qytetarëve të Bashkimit Evropian," shprehet një votues

Opozita ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe lidhje të dyshimta me biznesin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG